Transmetuar më 25-06-2020, 22:40

Enver Robelli, publicist nga Kosova ka bërë një deklaratë shumë të guximshme mbrëmjen e sotme, teksa fliste lidhur me akt-akuzën e bërë nga prokuroria speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, për krime kundër njerëzimit.

Robelli tha në emisionin “Open” se gjatë muajve, por edhe ditëve të fundit, në Kosovë janë vrarë shumë njerëz dhe arsyet nuk dihen sipas tij.

Robelli shtoi se në fund të dhjetorit në Prishtinë është vrarë një person, për të cilin më vonë familja ka thënë se kishte marrë ftesë për të dëshmuar në Hagë.

“Në ditët e fundit në Kosovë janë vrarë njerëz. Arsyet nuk dihen. Pas tre ditësh ngjarja harrohet. Në fund të dhjetorit është vrarë një person afër Prishtinës, familja ka thënë se ishte thirrur nga Gjyakata e Hagës për të dëshmuar. Një ish-luftëtar i UÇK-së është gjetur i djegur brenda makinës në rajonin e Pejës. Policia hesht për këtë”, tha publicisti Enver Robelli.

Aktakuza e Gjykatës Speciale, edhe pse ishte përgatitur më 27 prill u publikua 3 ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Uashington. Në dosje thuhet se janë kryer 100 vrasje ku janë përfshirë krerët e UÇK. Këto akuza të ricikluara, bënë që Thaçi dhe Hoti të anulojnë pjesëmarrjen në Shtëpinë e Bardhë.