Transmetuar më 25-06-2020, 00:40

Radio Televizioni Shqiptar njoftoi të mërkurën se do të transmetojë UEFA Champions League për sezonet 2021-2022, 2022-2023 dhe 2023-2024. Televizioni publik tha se ka fituar tenderin e të drejtave televizive organizuar nga UEFA dhe tashmë ka nënshkruar zyrtarisht kontratën për paketën e transmetimit pa pagesë në territorin shqiptar duke filluar nga muaji gusht i vitit të ardhshëm.

Më herët ishte platforma Tring që njoftoi se deri në vitin 2024 ndeshjet e kampionatit të plotë të UEFA Champions League do të transmetohen në kanalet e saj sportive.

Noa.al mësoi nga Tring se kjo platformë do të transmetojë të gjitha ndeshjet e UEFA Champions League, përfshirë dhe 18 ndeshjet që pritet të japë RTSH në çdo sezon.

Në këtë pikë është e paqartë përse RTSH u fut në tender dhe harxhoi shumë parà të taksapaguesve siç e pohon edhe vetë: "RTSH ka kryer një sakrificë shumë të madhe financiare për të parakaluar në tender operatorët privatë dhe për ti sjellë shqiptarëve kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve në Kontinent pa asnjë pagesë shtesë".

RTSH nuk publikoi sa parà ka shpenzuar për këtë blerje.

Tring siguron të drejtat e transmetimit të kampionatit të plotë të “UEFA Champions League” deri në vitin 2024