Transmetuar më 21-06-2020, 17:04

Ditën e djeshme Vjosa Osmani, është shkarkuar nga posti i nënkryetarës dhe anëtares së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Po përjashtohem e diferencohem sepse: Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar", shkruajti dje Vjosa Osmani pas shkarkimit në rrjetet sociale.

Për avokatin Spartak Ngjela kur antivlera shoqërore shkarkon vlerën e vërtetë dhe patriotike nga postet drejtuese të shtetit, patriotit të vërtetë i shtohet vlera deri në maksimumin historik të patriotizmit.

Ngjela shkruan se të korruptuarit në Prishtinë dhe në Tiranë po presin që me anë të forcës së politikës amerikane të fitojë korrupsioni në Prishtinë, të copëtohet territori i shtetit të Kosovës dhe Serbia të dominojë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë me veglat e saj, si në 100 vjet.

Analiza e plotë e Ngjelës

“Tani e mora lajmin se në Prishtinë, struktura e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shkarkuar Vjosa Osmani si nënkryetare të partisë dhe gjithashtu e ka shkarkuar edhe si anëtare të kryesisë së Lidhjes Demokratike.

l. Por, në politikë ka një rregull strikt, që mund të quhet edhe aksiomë: kur antivlera shoqërore shkarkon vlerën e vërtetë dhe patriotike nga postet drejtuese të shtetit, patriotit të vërtetë i shtohet vlera deri në maksimumin historik të patriotizmit, jo vetëm në periudhën kur ndodh shkarkimi, por edhe më tej në histori.

Historia e Shqipërisë deri tani ka ecur sipas filozofisë politike që antivlera ka shkarkuar nga posti drejtues apo ka vrarë vlerën kombëtare, kurse vlera, sigurisht që ka dy ingredientë kryesorë që e ndërtojnë realisht: patriotizmin dhe ngritjen e lartë intelektuale. Por, mungesa e këtyre dy ingredientëve në historinë dyqindvjeçare të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, është sëmundja e gjatë e Shqipërisë, por që, ndërkohë, po konstatohet se është e njëjtë edhe në Kosovë, edhe pse tani është fakt historik që Kosova, prej njëqind vjetësh është epiqendra e patriotizmit shqiptar.

ll. Antivlerat shqiptare gjithmonë janë paguar apo kanë qenë vegla të pushtuesëve shekullore të Shqipërisë. Sot duhet të jemi të fortë dhe ta pranojmë: kemi qenë dhe jemi ende shoqëri e pushtuar nga antivlerat kombëtare. Por, çfarë duhet të bëjmë? Duhet të vendoset moraliteti në drejtimin e Shqipërisë. Pikërisht kjo duhet të vijë nga reforma antikorrupsion në Tiranë.

Nëse në Tiranë, me procesin antikorrupsion që ka nisur, do të vendoset drejtësia nëpërmjet forcës së ligjit, edhe korrupsioni në shtetin e Kosovës do të falimentojë shumë shpejt.

Lufta kundër korrupsionit në Tiranë dhe në Prishtinë është kushti themelor i prosperitetit shoqëror shqiptar. Korrupsioni shqiptar sot drejtohet nga Moska dhe Beogradi. Rritja me vlerë të shtuar e personalitetit të një individi të pakorruptuar dhe patriot si Vjosa Osmani, në Kosovë, është vlerë historike që i blatohet të gjithë shoqërisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

lll. Të korruptuarit në Prishtinë dhe në Tiranë po presin që me anë të forcës së politikës amerikane të fitojë korrupsioni në Prishtinë, të copëtohet territori i shtetit të Kosovës dhe Serbia të dominojë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë me veglat e saj, si në 100 vjet.

Por e kanë të kotë. Përkundrazi: politika amerikane, në takimin e Uashingtonit të këtij muaji, do të flasë me gjuhën e forcës kundër Serbisë së mundur në luftë; do të garantojë pavarësinë e pacenuar të shtetit shqiptar të Kosovës, dhe, menjëherë pas kësaj, do të fillojë politikën e forcës për të sjellë të vërtetën etnike shqiptare në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Ky ka qenë dhe ky është ende interesi amerikan në Ballkanin Perëndimor: një botë shqiptare proamerikane që do të luftojë për bashkimin kombëtar të Arbërisë.

Këtë po pret patriotizmi shqiptar nga politika amerikane proshqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo do të ndodhë, sepse ky është edhe interesi shqiptar, edhe interesi amerikan i këtij shekulli. Në këtë kohë që po vjen ka vetëm një garanci historike: shqiptarët e korruptuar që kanë shitur interesin kombëtar, nuk kanë më të ardhme dhe janë pa asnjë shpresë.”-/noa.al/