Transmetuar më 16-06-2020, 18:36

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, u takua sot me ministren e Kulturës, Elva Margariti për të diskutuar mbi programin e ardhshëm të financuar nga BE-ja për rimëkëmbjen pas tërmetit në trashëgiminë kulturore – EU4Culture.

Soreca dhe Margariti diskutuan gjithashtu për programin e Bylisit për të promovuar sitin si një destinacion turistik dhe nisma të tjera të BE-së për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis dy institucioneve në fazat e projektimit dhe zbatimit të programeve të financuara nga BE-ja në kulturë, si dhe konsultimi me palë të interesuara përkatëse nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Ministrja Elva Margariti nuk e fshehu entuziazmin pas takimit me Soreca, ku edhe iu prezantua projekti financiar: Një takim i frytshëm sot me Ambasadorin e Bashkimit Europian, në Shqipëri, Luigi Soreca, me të cilin diskutuam mbi projektet tona të përbashkëta", theksoi ajo.

"Krahas projektit të financuar nga BE, që parashikon ndërhyrje në Parkun Arkeologjik të Bylisit, diskutuam për një aksion madhor në restaurimin e monumenteve të kulturës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit".

"Por puna jonë, – nënvizoi ministrja, – "nuk do të ndalet vetëm në restaurime godinash, por edhe në shtimin e sa më shumë shërbimeve, që do të thithin sa më shumë vizitorë në muzetë dhe parqet tona arkeologjike".

"Si do të thoshte edhe ambasadori Soreca, trashëgimia jonë kulturore është aseti ynë më i rëndësishëm, të cilin duhet ta kthejmë në një motor zhvillimi ekonomik", u shpreh Margariti.

Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë sqaron se “pas një kërkese të parë të ministres së Kulturës në mars 2018 dhe konsultimeve të mëtejshme me Delegacionin e BE-së gjatë vitit 2018, ministrja shqiptare e Kulturës, më 20 dhjetor 2018, kërkoi zyrtarisht që BE-ja të sigurojë ndihmë financiare për të ndërhyrë në Bylis, përmes Programit “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga Turizmi, me fokus Trashëgiminë Kulturore”.

“Qeveria shqiptare konsideroi se Delegacioni i BE-së kishte siguruar “mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” dhe se Bylisi përfaqësonte një vend ideal për ta vazhduar një bashkëpunim të tillë, për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe potencialit të turizmit”, nënvizoi ndër të tjera zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Sipas saj, programi prej 6 milionë Eurosh përqendrohet në promovimin e sitit të Bylisit si një destinacion turistik. Projekti përfshin punime konservimi dhe restaurimi, përmirësime të infrastrukturës, si dhe zhvillim të potencialeve të zhvillimit ekonomik të sitit.

“Bisedimet dhe përgatitjet për këtë projekt janë në vazhdim. Data indikative e parashikuar e nisjes është fillimi i vitit 2021, me një kohëzgjatje prej 3 deri në 4 vjet. Projekti nuk përfshin menaxhimin aktual të parkut arkeologjik të Bylisit, i cili është përgjegjësi vetëm e institucioneve kompetente shqiptare”, tha Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë."

"Projektet e përfunduara të BE-së, u janë dorëzuar institucioneve shqiptare, kurrë ndërmarrjeve private apo fondacioneve. “Në rastin e Bylisit, kjo do të thotë që institucionet shqiptare do të jenë përgjegjëse për të zgjedhur se si ta menaxhojnë sitin, sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Arkeologu dhe politikani i njohur Neritan Ceka i bëri thirrje pak ditë më parë Ministrisë së Kulturës dhe misionit të BE-së në Tiranë, që të bëjnë më transaprente projektin e tyre dhe të pyeten specialistët e fushës, pasi po shkatërrohet trashëgimia jonë kulturore.

Kujtojmë se Bylisi shkaktoi debate të forta pak ditë më parë. Një kritik i njuohur arti ialian Vittorio Sgarbi pretendoi se Bylis i përket jo vetëm kulturës greke, por edhe qyteti antik ka qenë grek, dhe jo ilir, çka solli edhe reagimin e fortë të shumë prej shqiptarëve, përfshirë atë të Neritan Cekës.

/NOA.al