Transmetuar më 13-06-2020, 23:39

Pas humbjes në sfidën e parë gjysmëfinale në “San Siro” përballë Napolit, Inter nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1  mbrëmjen e sotme në “San Paolon” e boshatisur, duke i dhënë lamtumirën trofeut të dytë më të rëndësishëm në Itali.

Takimi nisi menjëherë mirë për Interi, që gjeti golin e avantazhit që në minutën e tretë, kur danezi Christian Eriksen dërgoi në portë një goditje nga këndi.

Në momentin kur Inter iu afrua golit të dytë, portieri kolumbian zotëroi topin dhe nisi menjëherë Insignen në gjysmëfushën zikaltër, ndërsa ky i fundit u fut në zonë dhe shërbeu për Mertens, me belgun që mposhti Handanovic dhe riktheu baraspeshën.

Ky ishte goli i 122-të me fanellën e Napolit për sulmuesin belg, që hyri kështu në historinë e klubit, si futbollisti që ka shënuar më shumë, pasi parakaloi Marek Hamsik me 121 gola dhe legjendën Maradona me 115 gola.

Me rezultatin e barabartë, Napoli ishte në pozita komode dhe iu rikthye mënyrës së lojës që bëri edhe në ndeshjen e parë në “San Siro”, duke u mbrojtur me forca të shumta dhe duke ulur në maksimum ritmin e ndeshjes.

Trajneri Conte vendosi të freskojë krahët e mesfushës dhe sulmin, duke larguar Lautaron për Alexis Sanchez, ndërsa kileni u shfaq menjëherë kërcënueshëm, por gjuajtja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën pingule të portës së Napolit.

Eriksen kërcënoi sërish kuadratin e Napolit, fillimisht me një goditje dënimi që dhe më pas me një gjuajtje nga brenda zonës, por në të dy rastet ishte Ospina që bëri mrekullinë duke grushtuar dhe ruajtur portën të paprekur.

Në minutat e fundit Conte provoi edhe kartën Sensi, por napolitanët u rreshtuan mirë në gjysmëfushën e tyre dhe nuk lejuan që të rrezikohej kuadrati i Ospinës, duke ia dalë të kualifikohen për në finale, ku do të përballen me Juventusin mbrëmjen e 17 qershorit.

Juventus pas barazimit pa gola me Milan u bë mbrëmjen e djeshme ekipi tjetër finalist i Kupës së Italisë./NOA.al