Transmetuar më 05-06-2020, 10:25

Shqiptarët ndihen të zhgënjyer nga qëndrimet klienteliste të disa ambasadorëve të huaj në Tiranë, në lidhje me reformat e dështuara, për të cilat taksapaguesit  Perëndimorë  kanë derdhur miliona euro. Besueshmëria e tyre u helmua që kur imponuan mbështetjen e hapur për shumicën, e cila  kapi të gjitha pushtetet, varfëroi qytetarët,  duke u vënë në shërbim të oligarkëve. Diplomacia e Havjarit-Azerbajxhanas,  ngjashmëria me diplomacinë e Kanabisit -Rama dhe heshtjen e ambasadorëve…

Nga Ëngjëll Musai- Drejtor i gazetës Telegraf

Vetëm pak ditë më parë Profesori David Filips, ish-këshilltar i DASH-it, dhe aktualisht drejtor i programit në Columbia University, tha nga Nju Jorku se: “institucionet demokratike të Shqipërisë janë dobësuar. Partia Socialiste po akuzohet se e ka përhapur shumë korrupsionin si dhe ka forcuar shumë lidhjet me krimin e organizuar dhe trafiqet ilegale, dhe se kryeministri Edi Rama, po forcon pushtetin e tij me mjete autoritare, duke shkelur mbi demokracinë e të drejtat e njeriut, edhe pse është në bisedime me BE-në për Integrimin.” Kjo ka bërë, sipas Prof. Filips, që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të janë në një udhëkryq, pasi administratat Obama, por edhe ajo Trump kanë bërë një zgjedhje të detyruar midis qëndrueshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri. Por kritikat e Profesorit janë edhe për ambasadoren aktuale Yuri Kim, e cila jo vetëm hesht, për dhunën dhe shkeljet e të Drejtave të Njeriut, por edhe në disa raste ka shfaqur shenja mostabilizimi me deklaratat e saj të pakuptimta, me realitetin që përjetojnë qytetarët shqiptarë. Dhe për këtë, mjafton të lexojmë qindra komente në faqen zyrtare të amabsadës së SHBA-së në Tiranë, për aktualitetin, por edhe për ish-ambasadorin Donald Lu, që nga shqiptarët do mbahet mend për deklaratat e “peshkut” dhe të protestave të subvencionuara nga “shoqëria e hapur”, ku ngatërroi Kuvendin e sovranit, me selinë e Ramës. Dhe kjo nuk ishte një rastësi, por një skenar i përgatitur në kuzhinat e “Rilindjes”, e vënë në skenë nga regjisori i kanabizimit me aktor Donald Lu, Vlahutin, Bochard, EURALIUS dhe të dërguarit e posaçëm për Shqipërinë, nga zyrat sorosiane të burokratëve të Brukselit, të cilëve sapo u mbaroi mandate, u punësuan në zyrat e “Rilindjes”, sikurse është rasti i ish-komisionerit Knut Flekeinshtein.

Por këta “ndërkombëtarë”, për ne shqiptarët tashmë, nuk janë gjë tjetër veçse të “Huaj” që ndërhyjnë në punët tona të brendshme, dhe që me këto ndërhyrje kanë bërë që Reforma e Drejtësisë, e brohoritur si zgjidhja e të gjitha të këqijave shqiptare, të dështojë. Edhe vetting-u, tashmë i kthyer në dukuri ngjitëse, duke kaluar nga gjyqtarët dhe prokurorët tek policët, pastaj tek gardianët e burgjeve, më pas tek tokat në bregdet, dhe sëshpejti në kategori të tjera shqiptare, po fillojnë të shfaqin natyrën e tyre të vërtetë me qëllimin final, shkatërrimin e Kombit. A nuk është fakt i dështimit të ish-ambasadorve Lu dhe Vlahutin, ajo që përjetuam këta dy muaj, ku “Vetting-u” i reformës mbylli Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë , KLSH-në, nxori trupat ushtarake në kundërshtim me ligjin në rrugë, gjoba dhe vendime nga facebook-u, mbyllja e gjykatave të shkallëve të ulta etj. A e di zonja Kim dhe z. Soreca se demokracia pa të drejta njerëzore nuk vlen, dhe kështu shqiptarët e kishin për 50 -vjet ? A dinë këta të huaj, se shumë qytetarë janë të shqetësuar se kjo që po jetojnë, është një diktaturë e maskuar me disa elemente demokracie, madje ka zeruar zyrtarisht edhe angazhimet për të zbatuar Konventën për të Drejtat e Njeriut ?! Sigurisht që përfaqësuesit e huaj me mision në përfaqsitë e tyre diplomatike, e dinë por ndoshta ka arsye shumë të forta, për disa nga këta të huaj që kanë qenë dhe janë të lidhur pas “thesit” të qeverisë, apo edhe interesave të përkohshme të disa shtetarëve dhe kompanive lobiste në vendet e tyre. A ekziston mundësia që pikërisht këta lobistë të kenë ndikuar në emërimet e tyre në Tiranë, në këmbim të heshtjes ndaj zullumqarëve të qeverisë ?! A kanë lidhje këto lobingje me situatën në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd ?

Diplomacia e Havjarit-Azerbaxhan. A ka ngjashmëri me diplomacinë e Kanabisit-Rama, dhe heshtjen e ambasadorëve?

Sipas dokumentave të Nismës për Stabilitet Europian, (NSE), Azerbajxhani kishte kompromentuar një grup prej 10-12 deputetësh, i quajtur “grupi i miqve të Azerbajxhanit” në Asamblenë Parlamentare të KE-së, dhe 3-4 zyrtarë në sekretariatin e Këshillit të Europës, të cilët kishin pranuar të merrnin jo më pak se një gjysmë kilogram havjar zi si një dhuratë, katër herë në vit. Shumë nga këta deputetë ishin të ftuar në Baku dhe gjatë vizitave të tyre kishin pranuar të merrnin, së bashku me havjarin, edhe dhurata të shumta të tjera, duke përfshirë: qilima të shtrenjtë mëndafshi, ari dhe argjendi, artikuj, pije, seanca orgjish me vajza të reja, privilegje për biznese, dhe para. Kështu për shembull, në Azerbajxhan, ndonëse në zgjedhjet e vitit 2010, nuk ishte zgjedhur asnjë deputet nga partitë opozitare, kreu i misionit të Këshillit të Europës deklaroi se “ zgjedhjet ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Shqipëria me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë në vitin 2013, filloi të ngrihej si një “regjim” oligarkik autoritar, i korruptuar, me lidhje të ngushta me individë me rekorde kriminale dhe trafikantë të drogës, armëve e të qenieve njerëzore. Kjo qeverisje, ndër të tjera që në fillim kërkoi dhe ngriti një sistem për të kompromentuar ndërkombëtarët, që do të kishin lidhje me Shqipërinë dhe që do të hartonin raporte për Shqipërinë. Që do të ishin këshilltarë të mirëpaguar, apo spin-doktorë që do të bënin “lobing” për qeverisjen oligarkike. Që do të duhet të maskonin bëmat e kësaj qeverisjesje, apo do të sheqerosnin mangësitë apo pamjaftueshmëritë e saj. Prandaj, Rama në “ngjashmëri siameze” me Diplomacinë Azerbajxhanit, filloi të ngrinte mekanizmin dhe të aplikonte Diplomacinë e Kanabisit, homologe e Diplomacisë së Havjarit. Pikërisht diplomacia e drogës u mbylli gojën ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, si dhe përfaqësuesve e nëpunësve që duhet të raportonin në Bruksel. Përgatitjet që po bëhen për zbardhjen nga një shoqatë investigimi për ryshfetet, shitjet e vizave në ambasada që shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë, orgjitë e disa përfaqësuesve të huaj gjatë vizitave në Shqipëri, të dehur dhe sharlatanë, të bëra publike nga pamjet televizive, tenderat me fondet e BE-së, që nuk dihet se ku kanë përfunduar, peshqeshet për disa diplomatë perëndimorë, por edhe të shumë skandaleve si ajo e vilës së BE-së, të vulosur nga Vlahutin dhe që u ble 300% më shtrenjtë se vilat ngjitur, do të zbardhin fytyrën hipokrite dhe lidhje me Havjar-Hashashin. Në këto kushte dhe në këtë situatë ku është katandisur Shqipëria nga qeverisja e “rilindjes”, të pakta janë shpresat dhe shumë më i madh bëhet zhgënjimi se pasardhësit e Donald Lu dhe Romana Vlahutin, përkatësisht Yuri Kim dhe Luigi Soreca, do të sjellin qetësi, paqe dhe stabilitet kombëtar. Takimi në rezidencën private të ambasadores Yuri Kim, është fyese për demokracinë, sovranitetin dhe reputacionin e një vendi që aderon në NATO. “Mikpritja” për Reformën Zgjedhore në rezidencë private e personave që ende nuk kanë mbyllur çështjet me drejtësinë, pikërisht për vjedhjen e votive, dhe të bëra publike botërisht nga prestigjozja “BILD” nëpërmjet përgjimeve të organeve të hetimit shqiptar, tregon hipokrizinë dhe përdhosjen e shpresës nga këta ambasadorë. Po përse mungoi në këtë takim ambasadori i Gjermanisë, kur dihet që shqiptarët e kanë jo vetëm të shtrenjtë këtë vend, por edhe destinacionin e vetëm. Ambasadorja Kim, deklaroi se vlerësoj tërheqjen e Ramës, por nuk tha se përse Rama në këto vite e kishte avancuar duke e trajtuar shtetin si pushtet të tij. Rama i bëri zgjedhjet vetëm, si në kohën e diktaturës komuniste, bëri reformën e ndarjes territoriale sipas interesave të tij, mori 100% pushtetin lokal, këshilltarët lokalë, përdori dhunë policore dhe gaz helmues kundër protestuesve, mori timonin bashkë me tepsinë dhe çuditërisht kjo për zonjën Kim quhet tërheqje. Gaboheni zonja ambasadore, sepse Shqiptarët nuk i besojnë këto përralla. Dhuna ndaj protestuesve në SHBA, zonja Kim, ishte e papërfillshme me atë çka ka ndodhur në Shqipëri, që nga koha kur ministri i Brendshëm, ish ushtaraku i ushtrisë së diktaturës erdhi në këtë detyrë. A i patë sa barbarë u treguan me të rinjtë që rrinin të ulur në rrugë? Krahasoheni me protestat në SHBA. Amerika kërkoi ndjesë, kurse Lleshaj i nxori specialët si “çetnikë” me maska dhe pa identifikim. Prandaj shqiptarët nuk besojnë tek iniciativat e ambasadorëve të huaj si për Reformën Zgjedhore, edhe atë në Drejtësi. Të dyja janë të dështuara, janë një gotë e krisur në duart ambasadorëve dhe që dita -ditës do thyhet, dhe se ju, si ambasadorë kërkoni të justifikoni miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë dhe europianë, që janë zhdukur pa nam dhe nishan. Por nëse deri dje, të paktën, mund të shpresohej në ndërhyrjen e ndonjë organizmi ndërkombëtar, të ndonjë ambasade, të ndonjë qeverie vërtetë mike, sot në sytë e popullit shqiptar, i cili e njeh shumë mirë natyrën e vërtetë të udhëheqësve të tij, të gjitha ambasadat duken ose me dashje përtace, ose bashkëpunëtore të narkotrafikantëve. Edhe pse qeveritë tuaja bëjnë sikur nuk dinë asgjë, shtimi i 15 kushteve dhe raportet vjetore të DASH-it, janë e vërteta e hidhur. Tani përmasat e kësaj fatkeqësie janë para syve të kujtdo që do të shohë, drejtësia shqiptare është thelbësisht e bllokuar dhe shumë më pak e besueshme se më parë, shumë procese nuk mund të mbyllen për vite të tëra për shkak të rikthimeve të vazhdueshme.  Dhe e dini se përse ka humbur besueshmëria tek shqiptarët ? Sepse u tentua të bëhej një reformë e helmuar që në fillim, nga vullneti i shpallur i qeverisjes socialiste, e vënë në shërbim të Ramës, duke e imponuar atë me dhunën e shumicës, por e mbështetur dëshpërimisht nga një “grup i strukturuar diplomatik”, i cili sot dukshëm po delegjitimohet e turpërohet për ditë në sytë e publikut.