Transmetuar më 03-06-2020, 22:24

Opozita denoncoi sot se një fermë në Divjakë është përuruar dy herë rresht, vjet dhe sivjet më 30 maj, duke treguar kështu mënyrën si jepen fondet e AZHBR.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, duke publikuar videon që gjeni më poshtë, tha sot se "ndërkohë që RAMAVIRUSI po shkatërron agrobiznesin vendas, ideatori dhe zbatuesi i këtij shkatërrimi, vjet në 30 maj dhe këtë vit po në 30 maj shfaqet duke përuruar të njëjtën fermë në Divjakë.

Është e qartë se subvencionet e AZHBR-së për fermerët si çdo fond publik në Shqipëri janë vetëm në dispozicion të klientëve të Edi Ramës, të miqve dhe oligarkëve të tij. Pasi rrënuan ekonominë dhe zhvatën paratë e shqiptarëve, cirku kryeministror i rikthehet objekteve që ka përuruar më parë me shpresën se shqiptarët do t’i besojnë shfaqjet me regji qendrore.

Edi Rama i ka zhytur shqiptarët në varfëri dhe papunësi, e ka rrënuar ekonominë dhe biznesin e ndershëm dhe po e çon agrobiznesin drejt falimentimit. Asnjë formë propagande nuk i mbulon dot gënjeshtrat e Edi Ramës, që është përgjegjësi kryesor për krizën e thellë që po kalon çdo sektor i ekonomisë shqiptare".

Ndërkohë që RAMAVIRUSI po shkatërron agrobiznesin vendas, ideatori dhe zbatuesi i këtij shkatërrimi, vjet në 30 maj dhe…

Publiée par Lulzim Basha sur Mercredi 3 juin 2020