Transmetuar më 03-06-2020, 18:12
Avdullah Hoti

Kryeministri i Shqipërisë ka uruar Qeverinë e re të Kosovës, e cila u mandatua sot në Parlament.

“U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit të tyre, me besim e shpresë se pas një periudhe jo të lehtë përpëlitjesh në procesin e maturimit demokratik, do të bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”, shkruan Rama në Tuiter.

Qeveria e re e Kosovës do të udhëhiqet nga Kryeministri Abdullah Hoti, pas debatesh dhe krize politike disa mujore në vend.

Gjatë seancës së sotme, Hoti ka prezantuar kabinetin, i cili do të ketë katër zëvendës kryeministra dhe 16 ministra, pas më se dy orësh debate.

Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë zëvendëskryeministri i parë, ndërsa Driton Selmaj zëvendëskryeministri i dytë.

Dy zëvendës kryeministrat e tjerë do të jenë Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma Socialdemokrate dhe Goran Rakiq i Listës Srpska, i cili do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal.

Seanca e sotme u mbajt në mungesë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi qeveria e Albin Kurtit u shkarkua nga Kuvendi, me anë të mocionit të mosbesimit.

Kabineti qeveritar

Hykmete Bajrami-Ministre e Financave

Besian Mustafa-Ministër i Bujqësisë

Vlora Dumoshi-Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport

Arban Abrashi-Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu-Ministër i Punëve të Brendshme

Selim Selimi-Ministër i Drejtësisë

Armend Zemaj-Ministër i Shëndetësisë

Anton Quni-Ministër i Mbrojtjes

Blerim Kuqi-Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit

Meliza Haradinaj-Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Ramë Likaj-Ministër i Arsimit

Skender Reçica-Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Vesel Krasniqi-Ministër i Tregitsë dhe Industrisë

Dalibor Jevtiq-Ministër për Kthim dhe Komunitete

Goran Rakiq-Ministër i Pushtetit Lokal

Enis Kercan -Minisër i Zhvillimit Rural. /k.k/noa.al/