Transmetuar më 01-06-2020, 19:18

Presidenti i Kosovës ka reaguar për mbylljen e kufirit dhe tarifës për 22 euro për kamionët e ardhur nga Shqipëria.

Sipas Hashim Thaçit, “Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës”.

Kreu i shtetit shkon edhe më tej duke shkruar se ai, Kurti, “padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19.

Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave”.

Për Thaçin, ky vendim ishte një absurditet.

“Hapet me Serbinë dhe e mbyll Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.

Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar”, përfundon Thaçi. /k.k/noa.al/