Transmetuar më 31-05-2020, 11:04

Autoritet policore të Lezhës dhe njësive të tjera të hetimit kanë arrestuar katër persona të cilët po transportonin drogë nga Vlora në drejtim të Shkodrës.

Gjatë operacionit të koduar “Gjadër”, u bë i mundur identfikimi dhe lokalizimi i automjetit që dyshohej se mund të transportonte lëndën narkotike  dhe në fshatin Gjadër, Lezhë, shërbimet e Policisë ndërhynë duke bllokuar mjetin tip "BMW", me drejtues shtetasin K. D.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sediljen e pasme dhe në bagazh, 95 kg lëndë narkotike, e dyshuar kannabis sativa.

Më pas rezultoi se mjeti tip "BMW", që transportonte lëndën narkotike, paraprihej nga 2 mjete të tjera, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të pikave të kontrollit nga ana e Policisë.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në të tre mjetet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 mijë euro.

Policia ka bërë arrestimin e drejtuesit të mjetit në të cilin u gjet lënda narkotike, shtetasin K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër dhe ka bërë ndalimin e shtetasve K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën.

Policia, nën drejtim e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe DVP Shkodër, po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim". /k.k/noa.al/