Transmetuar më 30-05-2020, 23:40

Shpërthim i fuqishëm sonte në mbrëmje vonë pranë një hoteli dhe një lokali fare afër qendrës spitalore universitare Nënë Tereza në Tiranë, raporton noa.al.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.00, kur në rrethana të paqarta ka ndodhur një shpërthim në afërsi të QSUT siç shihni në galeri, foto pak pas shpërthimit.

Shpërthimi ka dëmtuar hotel Viktoria, pronë e familjes së Ervin Matës, si dhe lokalin në pronësi të shtetasit Klevis Gozhita. Lokali në ato momente ka qenë i mbyllur.

Nuk raportohen të lënduar nga ngjarja, ndërkohë që zhurma ka qenë e fuqishme dhe ka shkaktua panik tek banorët e zonës.

Policia tha zyrtarisht se sonte "më datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në rrugën e “Dibrës”, ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasëse.

Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por dëme materiale tek të dy objektet.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. /noa.al/