Transmetuar më 30-05-2020, 23:34

Ngjarja e shëmtuar e Tiranës që ka tronditur opinionin publik shqiptar është një abuzim seksual nga një burrë në moshë të thyer, shoqëruar me përdhunim edhe nga tre meshkuj të tjerë, adoleshentë.

Autor i dyshuar është 65-vjeçari i arrestuar është Abaz Doku. Në dëshminë e tij para efektivëve, ai nuk e ka pranuar që e kishte përdhunuar të miturën.

“Vetëm e kam prekur në vende intime, pasi ajo më afrohej vetë“, mësohet të jetë shprehur i moshuari.

Policia e Tiranës, thotë të kundërtën. Ajo është e bindur për krim të rëndë seksual pasi vuri sot në pranga 4 shtetas, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimit pas informacionit të marrë se shtetasi 65 vjeçar Abaz Doku, kishte abuzuar seksualisht me dhune me të miturën 15-vjeçe, organizuan punën për identifikimin e personit dhe zbardhjen e ngjarjes.

Sipas të miturës, Doku kishte ngacmuar edhe vajza të tjera. Nisur nga kjo dëshmi, policia po heton nëse i moshuari ka abuzuar me vajza të tjera në shkollë apo në zonë.

Ndërkohë raportohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e vëllait të Abaz Dokut, i cili ndodhej jashtë shtetit dhe çelësat i mbante 65 vjeçari.

Ai e ka dërguar vajzën atje duke abuzuar me të, ndërkohë që gjithçka e ka filmuar në telefon, pamje të cilët ia ka dhënë edhe tre të rinjve të tjerë të zonës.

Këtë e pohon zyrtarisht edhe Policia e Tiranës: Pas prangosjes së Dokut, nga veprimet hetimore rezultoi se ai kishte abuzuar seksualisht me dhunë me të miturën dhe pas abuzimit i kishte bërë video intime. Këto video ua kishte dhenë tre djemve të rinj, konkretisht K.P., 20 vjeç, R.O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën.

Më pas këta tri djem kanë bërë video intime që t’ua shpërndanin personave të tjerë.

Në dhomën e intervistimit të të miturve dhe në prezencë të nënës, psikologes dhe avokates, specialistët për Hetimin e Krimeve nën drejtimin e Prokurorit, kanë administruar dëshminë e vajzës dhe të gjitha provat që implikojnë shtetasit e lartpërmendur.

Gjithashtu është bërë e mundur të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhe dy telefona celular në të cilët ndodheshin videot.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasve Abaz Doku, K.P., R.O. dhe F.B., për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç”, “Shtytja e të miturëve në krim” dhe “Vepra të turpshme”, të gjitha kryer në bashkëpunim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast të abuzimit seksual me dhunë me të mitur.