Transmetuar më 30-05-2020, 22:04

Përfundon pa marrëveshje mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Pavarësisht se mbledhja zgjati 4 orë, nuk pati një marrëveshje mes përfaqësuesve politikë.

Në fjalën e tij përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh: “Për çështjen e administrimit të zgjedhjeve dhe gjykimit nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron dhe vetë shpall rezultat. PS në strategjinë e saj ka vetëm një gjë, vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do të lejojë të kalohet. Pa u arritur dakortësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar, u shpreh ai.

Ndërsa Petrit Vasili, përfaqësuesi i Levizjes Socialiste për Integrim tha:

“Mazhoranca kërkon të legjitimojë eksperimentin e 30 qershorit ku numëruesit dhe komisionerët e qeverisë të bëhen me ligj. PS me një votim korrekt nuk i fiton zgjedhjet. Tani kërkon të mbushë kutitë në tavolinë e të numërojë votat vetë ashtu si bëri në 30 qershor. Opozita nuk tërhiqet nga standardet bazike dhe të hyjë në një rrugë pa krye. Sot ka vetëm një strategji të PS ta minojë reformën zgjedhore dhe të shkojë drejt logjikës së faktit të kryer”.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri, u shpreh:

“PS e ka vullnetin. Unë shpresoj që PD të mos ketë sebepe për të hedhur në erë këtë reformë. Nuk duhet që të mbahemi peng, se ne dalim para shqiptarëve. Ne e kemi thënë se teknologjinë mund ta shtrijmë hap pas hapi, sepse kështu e do realiteti e mos flasim me dëshira. Edhe ODIHR kështu thotë teknologjia duhet shtrirë me faza. Ne kemi thënë se madje kush kapet me shkelje në krim zgjedhor nuk punon dot më në shtet. Cfarë është kjo logjikë që kamera aty dhe vidheshkan zgjedhjet. Nëse palët vijnë me këmbë në tokë për kërkesa të bëshme, cdo gjë është gati. Nuk mund të hidhet ODIHR në kosh”.

Sakaq deputetja Rudina Hajdari, deklaroi se maxhoranca e opozita nuk duan ndryshim të sistemit zgjedhor.

Hajdari tha se e kupton kryeministrin Edi Rama se nuk e do këtë ndryshim, pasi ka më shumë se gjysmën e deputetëve të parlamentit me vete, por nuk e kupton Lulzim Bashën.

E para unë erdha në këtë tryezë që të ketë ndryshim Zgjedhor. Nuk e kuptoj pse PD nuk e do këtë gjë. Kjo formulë është mbështetur nga ndërkombëtarët dhe shoqëria civile.

E kuptoj Edi Ramën që do këtë sistem zgjedhor, sepse ka më shumë se gjysmën e parlamentit me vete, por nuk e kuptoj Bashën që e do Ramën perandor. Në atë parlament duhet të futen ata që e meritojnë, jo ata njerëz që do Rama e Basha”, tha Hajdari./noa.al/