Transmetuar më 30-05-2020, 01:47

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë nga protesta masive kundër dhunës së policisë, ndërsa presidenti Donald Trump ka kërcënuar të marrë kontrollin e Minneapolis, duke paralajmëruar ata që i quajti “rrugaçë”, se forcat do të qëllojnë ndaj grabitësve. Reagimi k Trump erdhi pasi demonstruesit dogjën një rajon policie dhe protestat kundër dhunës policore kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Trump ndërhyri me një koment në Twitter pas ditës së tretë të protestave kundër vrasjes së George Floyd në duart e policisë. Komenti i ashpër i presidentit më pas u fshi nga rrjeti Twitter me justifikimin se nxiste dhunë.

Twitter e fshehu postimin në profilin e presidentit të SHBA-së Donald Trump sepse ai shkel rregullin që ndalon “glorifikimin e dhunës”.

Presidenti Donald Trump tha se "huliganët" po e "çnderojnë kujtimin" për George Floyd, 46 vjeç, i cili vdiq të hënën.

"Huliganët po çnderojnë kujtesën për George Floyd dhe unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Kam biseduar me guvernatorin Tim Walz dhe i thashë atij se Ushtria është me të. Në çdo vështirësi ne do të marrim kontrollin, por, kur fillon plaçkitja, fillon të shtënat", ka shkruar Trump në Twitter.

Presidenti shkroi se ka dërguar Gardën Kombëtare dhe paralajmëroi se “kur të fillojë grabitja, të shtënat do të fillojnë”. Si vdiq George Floyd? Policët po ndiqnin veturën me të cilën po udhëtonte Floyd, nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara. Sipas policisë, atij iu tha që të largohej nga makina dhe ai tregoi rezistencë fizike, pas së cilës u prangos.

Videot treguan sesi një polic i bardhë bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur "të lutem, nuk mund të marr frymë" dhe "mos më vrit".

George Floyd më vonë ka vdekur në spital. Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi.

Menjëherë pas incidentit, familja Floyd ka kërkuar që katër oficerët e policisë të përfshirë në vdekjen e familjarit të tyre, të akuzohen për vrasje.

Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, i tha CNN të enjten se ai shpresonte që oficerët e përfshirë të marrin dënimin me vdekje.

"Asnjëherë nuk do ta kthej vëllanë tim. Ne kemi nevojë për drejtësi", tha ai.

Shefi i policisë në Minneapolis, Medaria Arradondo kërkoi falje për "dhimbjen, shkatërrimin dhe traumën" e shkaktuar nga vdekja e Floyd.

Shefja për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, e ka dënuar vdekjen e Floyd, duke thënë se roli i "diskriminimit racor" duhet të njihet dhe trajtohet.

Një numër i madh personash të famshëm dhe sportistë, duke përfshirë John Boyega, LeBron James, Beyonce dhe Justin Bieber, gjithashtu kanë shprehur zemërim për incidentin.