Transmetuar më 30-05-2020, 01:26

Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar forcat e armatosura të Kinës që "në mënyrë të plotë" të forcojnë stërvitjen e trupave dhe të jenë të përgatitur për luftë, pasi tensionet po rriten midis Pekinit dhe një numri të vendeve të tjera.

Ai vlerësoi kontributin e ushtrisë kineze në luftën e vendit kundër epidemisë së koronavirusit, por u bëri thirrje forcave të armatosura të rritin trajnimet ushtarake.

"Është e nevojshme të hulumtohen mënyrat e stërvitjes dhe përgatitja për luftë, sepse përpjekjet për kontrollin e epidemisë janë normalizuar," citoi agjencia zyrtare e lajmeve të Kinës Xinhua të thoshte Xi Jinping.

"Është e nevojshme të shtohen përgatitjet për luftime të armatosura, të zhvillohet me fleksibilitet trajnimi aktual ushtarak dhe të përmirësohet aftësia ushtarake për të kryer misione ushtarake."

Më tej Xi tha se ushtria duhej të mendojë për "skenarët e rasteve më të këqija", duke shtuar se duhet të jetë e përgatitur për "të ruajtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar" dhe "të ruajë stabilitetin e përgjithshëm strategjik të vendit".

Thirrja e Xi për përshpejtimin e gatishmërisë luftarake pasoi një vendim vitin e kaluar për të rritur buxhetin për ushtrinë kineze me 178 miliardë dollarë.

Sakaq, sipas buxhetit të rishikuar dhe miratuar nga sesioni i tretë i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP), buxheti kombëtar i shpenzimeve të mbrojtjes kombëtare në vitin 2020 do të rritet me 6.6% në krahasim me një vit më parë dhe do vijojë të mbajë një rritje të moderuar dhe të qëndrueshme.

Më herët, dje, 35 deputetë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës kanë nënshkruar dhe paraqitur propozimin për të hartuar ligjin e imuniteteve të huaja sovrane të Kinës gjatë sesionit vjetor të AKP-së.

Masa merret në mes të tensioneve në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për pandeminë e COVID-19, pasi disa anëtarë të Kongresit amerikan propozuan projekte për ndryshimin e "Ligjit të imuniteteve të huaja sovrane" të ShBA-së, që do të hiqnin Kinës imunitetin e saj në çështjet lidhur me COVID-19. Gjatë pandemisë së koronavirusit, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera po përpiqen t’ia hedhin fajin Kinës për të mbuluar reagimin e tyre të dobët ndaj COVID-19. Disa organizata ose individë madje kanë ngritur padi kundër qeverisë kineze dhe departamenteve përkatëse sipas "Ligjit të imuniteteve të huaja sovrane".