Transmetuar më 29-05-2020, 19:44

Një fëmijë ka humbur jetën në Zvicër pasi ishte infektuar nga virusi Covid-19, raporton noa.al duke cituar një komunikatë të sotme nga shefi i Institutit për Sëmundjet Infektive, Stefan Kuster.

Ai tha se fëmija ndërroi jetë në spitalin e Zyrihut pasi ishte transportuar atje nga spitali i kantonit Aargau ku edhe jetonte.

Mësohet se fëmija ishte infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ku kishte shkuar me prindërit para pak javësh dhe ishin kthyer sërish në Zvicër, sikurse njoftoi rrjeti televiziv kombëtar SRF.

Autoritetet shëndetësore në kantonin e  Aargaut kanë deklaruar për mediat se foshnja kishte vdekur nga një “sëmundje e rëndë neurologjike”, e cila mund të shkaktohet nga shumë lloje të viruseve.

Foshnja që ende nuk kishte mbushur 1 vjeç, ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitive për koronavirus. Por nëse edhe Covid-19 është shkaku i vdekjes është ende e paqartë dhe tani po hetohet në këtë drejtim.

Stefan Kuster, tha se vdekja e foshnjës nuk duhet të ndryshojë vlerësimin e deritanishëm rreth trajtimit të fëmijëve, nuk duhet të ketë ndikim në hapjen e shkollave dhe as në kujdesjen e gjyshërve për nipërit dhe mbesat, që është lejuar sërish, ditë më parë.

“Ne e dimë që fëmijët mund të infektohen”, ka thënë Kuster. Sakaq njoftohet se edhe dy fëmijë të tjerë janë infektuar në Basel.