Transmetuar më 29-05-2020, 13:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, reagon lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mbrëmjen e së enjtes, e cilësoi si të drejtë dekretin e Presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin e ri për krijimin e qeverisë.

Në një mesazh publik, Kurti thtoë se “Mbrëmë natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit. Le të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese”.

Ai shton se mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke "spërdredhur deklarimet" dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë.

Sipas tij, në vend që të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë Presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi të arsyetohet.

Kurti thotë se Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike.

Po ashtu nënvizon se është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.

Kurti deklaron se gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të tillë sikur fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekziistent, ndërsa në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.

“Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon. Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18. Formulimet e llojit “… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit”, shkruan Kryeministri në detyrë.

Ai thotë një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit.

Fatkeqësisht, shprehet Kurti, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit dhe se ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi.

“Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, thotë në mbyllje Albin Kurti.

Kujtojmë se më 30 prill Presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozoi parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.