Transmetuar më 29-05-2020, 12:16

Ministria e Financave njofton ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, çka çon në përfitimin e të ashtuquajturës “pagë lufte”, për një kategori më të zgjeruar, aplikimet për të cilën shtyhen deri më 5 qershor.

Në një njoftim të ditës së sotme thuhet se ndryshimet e fundit të VKM nr.305 datë 16.04.2020 përcaktojnë kritere të reja për përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë Shqiptare.

Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej prej 40 000 lekësh të reja të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.

Aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga subjektet punëdhënës, deri në datën 5 Qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim.

Në rastet kur punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, të gjithë individëve përfitues, do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike. Kjo do të realizohet pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë.

Të gjithë subjektet, të cilët plotësojnë kriteret sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, i ndryshuar (sipas listës bashkëngjitur), duhet të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues sipas VKM të sipërcituar.

“Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të formularit të plotësuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës financiare prej 40.000 lekësh”, njofton ministria. /a.y/noa.al