Transmetuar më 26-05-2020, 22:38

Prof. Dr. Lisen Bashkurti, thotë se diplomacia shqiptare nuk ka qenë e qartë në lidhje me çështjen e Kosovës dhe për më tepër, ka qenë në sinkron me Beogradin për copëzimin e trojeve shqiptare përtej kufirit.

Në intervistë sonte në Ora News, Bashkurti u shpreh se Tirana zyrtare ka qenë habi e madhe edhe për disa zyrtarë serbë për mënyrën se si ka mbështetur copëzimin e Kosovës.

"Diplomacia shqiptare nuk ka qenë e qartë në lidhje me çështjen e Kosovës. Nga qarqe diplomatike evropiane, amerikane, diplomatë dhe ekspertë edhe në Serbi, po lançohet mendimi se ka qenë Beogradi gjeneruesi i idesë për copëzimin e Kosovës dhe ka gjetur mbështetje te presidenti Thaçi dhe te Rama. Kjo lloj tymnaje… e vërteta është se ka krijuar një mendim në diplomacinë perëndimore", tha z.Bashkurti dhe shtoi:

"Tirana zyrtare ka qenë habi e madhe edhe për disa zyrtarë serbë se si ka mbështetur copëzimin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës ka një frymë tërësore që mbështet në 3 “jo” të famshme” jo kthemi të Kosovës në Serbi, jo cënimit të territorit dhe jo bashkimit me një shtet tjetër. Mbi bazën e kësaj kushtetute është bazuar edhe pavarësia e Kosovës", është shprehur Bashkurti.