Transmetuar më 26-05-2020, 17:47

Zgjedhjet e reja në Shqipëri mund të mbahen në Tetor 2020 ose në Prill të vitit të ardhshëm. Këshilli Teknik ka përcaktuar në parim kohën e zgjedhjeve, ndërsa vullneti politik pritet të përcaktohet nëse zgjedhjet do të mbahen në Tetorin e këtij viti apo në Prillin e vitit të ardhshëm.

Opozita kërkon që zgjedhjet të bëhen në Tetorin e këtij viti në një kohë që disa bashki janë ende pa kryetarë dhe të tjerat janë krejtësisht moniste.

Në tryezën e reformës zgjedhore mazhoranca tha se pranon propozimin e opozitës për shkurtimin e periudhave zgjedhore. Sipas saj, zgjedhjet do të mbahen në periudhat nga 15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori – 15 nëntor.

Ky ndryshim në sistemin zgjedhor bën që Presidenti të mos detyrohet më që të caktojë datën në një nga 2 të dielat e fundit të periudhës dhe tani nuk ka kufizim. Ai mund të dekretojë zgjedhjet në secilën nga të dielat brenda periudhës së re të miratuar.

Megjithatë duket se palët janë dakordësuar në një dukuri negative: As prilli dhe as tetori nuk janë muaj të përshtatshëm për të marrë pjesë emigrantët, duke dëmtuar kështu hapur dhe me vetëdije, prezencën e tyre. E në fakt, emigrantët janë gjithnjë të përfshirë në listat e votimeve, por vetëm një pjesë e tyre arrinin të vinin në fund të qershorit kur janë bërë zakonisht zgjedhjet në Shqipëri.

Disa herë ata kanë ngritur zërin që zgjedhjet të bëhen në periudhën korrik-gusht kur kthehen për pushime. Lëre pastaj të mund të votojnë në vendet që jetojnë, një proces normal në gjithë vendet e tjera dhe prej 30 vjetësh e pamundur për shqiptarët.

Tani që datat zhvendosen në prill dhe tetor, shqiptarët jashtë vendit që janë gati gjysma e fuqisë votuese, përjashtohen edhe më shumë nga pjesëmarrja në zgjedhje. /noa.al/