Transmetuar më 23-05-2020, 23:06

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar përmes një mesazhi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Lideri demokrat shprehet se në veçanti lutet për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi.

Ai thotë se mes këtyre kohëve me vështirësi e sakrifica, besimi i Zotit jep siguri se e keqja do të mundet dhe e nesërmja do jetë më e mirë.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit! Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë. Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:

“Si kur shndrin dielli i mesditës, Ashtu dhe natën kur terri bie,

Zoti yt nuk të ka braktisur, As zemëruar me ty nuk është.

Dhe patjetër çfarë po vjen,

Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon,

Dhe Zoti duarplot do të jetë me ty, E ti i lumtur”.

Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”