Transmetuar më 12-05-2020, 14:08

Presidenti Ilir Meta thotë se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19 dhe sezoni i ri turistik në vend parashikohet tejet i vështirë.

Ai deklaron se veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare.

“Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend. Nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni”, deklaron kreu i shtetit.

Në vijim shton se me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët, duhet të mbështesim turizmin vendas dhe familjet shqiptare që mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik.

Sipas Presidentit, për këtë është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE