Transmetuar më 08-05-2020, 14:41

Një fëmijë 10 vjeç, ka befasuar mjekët dhe familjarët, pasi si të mos mjaftonte leuçemia nga e cila vuante, u sëmur edhe nga koronavirusi.

Vogëlushi Riley Duckworth, nga Arkansas, SHBA, zbuloi në muajin nëntor 2019 se ishte prekur nga leuçemia dhe aty nisi një betejë e vërtetë nëpër spitale.

Por teksa po luftonte kundër tumorit, zbuloi se ishte pozitiv edhe me koronavirus.

Riley zbuloi fillimisht leuçeminë, pasi shokët e tallnin se ishte shumë i ngathët dhe se lodhej shpejt kur lozte.

Kështu prindërit e çuan për kontroll dhe zbuluan se shkak për lodhjen e tij ishte sëmundja e tmerrshme. Vogëlushi nisi kështu kimioterapinë, por pas disa muajsh në 16 prill, zbuloi se ishte infektuar edhe me koronavirus.

Duke parë gjendjen e tij delikate shëndetësore, u detyrua që të ndërpriste kimioterapinë dhe të shtrohej në spital, ku bashkë me të atin u izolua në një dhomë.

Më në fund pas disa javësh, erdhi lajmi i mirë Riley nuk është më pozitiv dhe do mund të dalë nga spitali. Vogëlushi, siç raportojnë mediat vendase, shpreson që të fitojë edhe betejën me tumorin, në mënyrë që të jetojë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. /a.y/noa.al