Transmetuar më 05-05-2020, 23:03

Një video nga Italia na tregon një moment prekës në këtë kohë pandemie, ku nënë e bir janë takuar në një pikë kufitare për të festuar ditëlindjen.

Pas dy muajsh e gjysmë në karantinë pa u takuar,  Francesco Piacentini, vendosi të takonte nënën e tij Delma Visonà 67 vjeçe në kufirin midis Veneto dhe Trentinos, pasi 44-vjeçari kishte ditëlindjen.

“Ajo jeton në Veneto, unë në Trentino. Me 1 maj kisha ditëlindjen dhe ajo ishte e dëshpëruar. Më erdhi kjo ide për tu takuar në kufi, mora një tryezë, ajo solli një tortë nga dyqani i pastave, një shishe verë dhe gota. Ajo parkoi në Veneto dhe unë në Trentino “, thotë Piacentini, i cili është me origjinë nga Valdagno por jeton me familjen e tij në Trentino.

“Unë jam fëmijë i vetëm dhe babai im vdiq tre vjet më parë: në këta dy muaj e gjysmë ajo nuk ka arritur të shohë njeri, të afërmit e saj jemi vetëm ne, unë dhe familja ime. Ishte e vështirë, por ne arritëm të respektonim rregullat deri në fund: ne nuk u përqafuam me njëri-tjetrin. Me të vërtetë mbetëm secili në rajonin tonë, por pas një kohe të gjatë ishte e mjaftueshme. Tani ne jemi duke pritur që të jemi në gjendje ta shohim përsëri njëri-tjetrin, pa ndalimin e lëvizjes midis territoreve të ndryshme, por për momentin kjo ditë  ishte shumë e rëndësishme për ti ngritur moralin e nënës” tha më tej ai.

Në videon e mëposhtme keni momentin kur nënë e bir takohen dhe festojnë bashkë.