Transmetuar më 30-04-2020, 14:40

“Në mes të krizës së pandemisë, Edi Rama ka braktisur mijëra familje në mjerim, po shtyn biznesin shqiptar dhe ekonominë kombëtare drejt falimentimit. Por Edi Rama nuk ka pushuar asnjë çast pagesat dhe favoret për oligarkët. Pasurimi i oligarkëve është prioriteti i tij i vetëm. Ndërkohë që shqiptarët zhyten në varfëri, papunësi dhe pasiguri, Edi Rama po privatizon kufijtë, doganat dhe portet e Shqipërisë duke ua dhënë me koncesion oligarkëve”.

Është kjo deklarata e bërë nga sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata.

Ai tha se në kulmin e krizës së vendit, Edi Rama po i jep tre oligarkëve të vendit me koncesion një port privat mallrash për të ngarkuar dhe shkarkuar çdo lloj malli që hyn e del nga Shqipëria.

Në vijim shtoi se në vitin 2015, Edi Rama ju dha tre oligarkëve Shefqet Kastrati, Friden Kuqi dhe Pëllumb Salillari një koncesion të paligjshëm për ndërtimin e një porti karburantesh vetëm pak metra nga porti ekzistues i Porto Ramanos, duke shkelur ligjin dhe tani me një shtesë të kontratës së koncesionit, ka vendosur që këtë port karburantesh ta kthejë në port për çdo lloj malli të menaxhuar nga këta oligarkë, njësoj si Porti i Durrësit.

Sipas tij, kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standareve të sigurisë kombëtare të vendit dhe një skandal korruptiv dhe me pasoja të rrezikshme për Shqipërinë.

Gjata tha se ky port privat për mallrat cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, dobëson luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës ndërkombëtare, përfshi trafikun e drogës.

Po ashtu deklaroi se porti i oligarkëve rrezikon financat publike dhe mundëson një parajsë të evazionit fiskal dhe se do të jetë një port për drogën, për kontrabandën, dhe një qendër e krimit.

“Ky port është privatizim i sovranitetit të Shqipërisë në duart e oligarkëve. Vendimi për t’u dhënë oligarkëve këtë koncesion të ri, merret kur Edi Rama ka zhytur në papunësi dhe varfëri qindra mijëra familje shqiptare. Vendimi për të pasuruar akoma më shumë oligarkët, për të privatizuar atdheun për interesin e tyre merret nga Edi Rama në këtë kohë të pandemisë ekonomike, kur biznesi shqiptar po shtyhet të falimentojë nga mungesa e ndihmës financiare dhe nga barra e rëndë e taksave. Ja pse taksat që paguajnë qytetarët dhe biznesi nuk shkojnë për të ndihmuar njerëzit. Sepse paratë e shqiptarëve Edi Rama vendos tua falë oligarkëve duke ju ndërtuar edhe rrugën e portit privat me plot 5.4 milionë euro”, deklaroi Gjata.

Në këtë linjë tha se kjo është nuk është thjesht vjedhje dhe se kjo është tradhti që Edi Rama kryen kundër shqiptarëve në kohën më kritike për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Në mbyllje tha se Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar deklaron publikisht, se nuk e njeh këtë akt kriminal tradhtie ndaj shqiptarëve dhe se “Parlamenti dhe qeveria e re e dalë nga votat e shqiptarëve do ta anulojë me efekt prapaveprues këtë vendim të paligjshëm dhe do ti vendosë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë”. /a.y/noa.al