Transmetuar më 21-04-2020, 11:21

Aktori i njohur Rikard Ljarja që ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar në moshën 77-vjeçare do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit.

Amaneti i tij ishte që të varrosej në qytetin e Shkodrës. Me lot në sy, por edhe me maska, njerëzit e mbledhur poshtë banesës kanë duartrokitur ashtu siç e meritonte.

Në përcjelljen për në banesën e fundit, nuk kanë munguar përqafimet e familjarëve që i shprehin ngushëllimet njëri-tjetrin.

Ndonëse situata e koronavirusit ka penguar që të mbahen ceremoni mortore, miq dhe kolegë të Rikardit kanë qëndruar pranë familjes.

Miku i tij, Saimir Kumbaro e cilësoi si një njeri të mirë Rikardin, i cili humbi jetën për shkak të një sëmundje të rëndë.

“Ky është moment shumë i vështirë. Jeta si duket kështu qenka. Sot duhet të ishte mbushur i gjithë sheshi. Ai është cilësuar nga ne si pioneri i kinemasë sepse duti një shkollë të re në intepretim. Filmat me të i kujtoj se ishte shumë actor i rehatshëm, shumë komunikues, shumë dëgjues, krijonte atmosferë shumë të mirë”, tha Kumbaro për mediat.

Ndërsa aktorja Roza Anagnosti flet me lot në sy duke thënë:

“E përcollëm bëmë një shkelje por ai e meritonte. Ikja e tij në këtë kohë ishte më e trishtë. Një figurë e madhe si ai duhej përcjellë nga i gjithë publiku me duartrokitje, por ja kjo kohë kështu që po jetojmë e pengon, nuk arritëm as lule të merrnim”. /a.m/noa.al