Transmetuar më 17-04-2020, 18:30

NOA.al ka marrë në analizë shifrat zyrtare të rasteve të infeksionit në Shqipëri, duke siguruar të dhëna të plota që publikohen për herë të parë, me detaje mbi mbi moshat, gjinitë, vdekshmërinë, etj. Analiza përfshin të gjitha rastet e derisotme, nga 8 marsi deri më 17 prill 2020.

Mes 253 personash të dyshuar, Shqipëria regjistroi sot 21 raste të reja njerëzisht të infektuar. Gjithsej deri sot janë testuar 5080 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 539 raste. Ndër ta kanë humbur jetën 26 persona.

Aktualisht në dy spitalet COVID po marrin shërbim 43 pacientë. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar ose dy herë më pak se në fillim të pandemisë. Prej tyre, shtatë pacientë janë në terapi intensive, kurse nuk ka asnjë person në frymëmarrje të drejtuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi), janë 8 pacientë të shtruar. Katër janë në reanimacion të intubuar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavijon.

Gjatë 24 orëve të fundit, 6 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e tyre në 283. Siç shihet edhe në kurbën e epidemisë vijojmë me rritjen e numrit të rasteve të shëruara të cilat për disa ditë rresht kalojnë numrin e rasteve të infektuara.

Moshat e të infektuarve

Ndër 539 të infektuar, 2 për qind janë të grupmoshës 0 deri 9 vjeç, skundër shikoni tabelën. Gjashtë për qind janë të moshës 10-19 vjeç, kurse 12 për qind, të moshës 20-29 vjeç. 11 për qind i përkasin moshës 30-39 vjeç. 16 për qind janë personat e moshës 40-49 vjeç. Grupmosha me më shumë të infektuar është 50-59 vjeç që zë 22 për qind të totalit prej 539 të infektuarish. 17 për qind e të infektuarve janë të moshës 60-69 vjeç. 14 për qind janë të moshës 70 vjeç e lart. Autoritetet nuk kanë dhënë shifra të ndara për moshat 80-89 vjeç dhe 90 vjeç e lart, siç raportohen nga Italia dhe vendet e tjera.

Gjinia e të infektuarve anon më shumë nga meshkujt që janë 53 për qind, kurse femrat, 47 për qind. Numri më i madh i të prekurve në një ditë, që nga 8 marsi kur u shënuan 2 rastet e para, ka qenë më 26 mars 2020, 28 raste. Pas kësaj periudhe numri më i ulët u shënua më 4 prill me 6 raste. Tri ditët e fundi ka rritje të infektuarish të identifikuar, përkatësisht 19, 24 dhe 21 raste.

Moshat e të shëruarve

Një për qind e 283 të shëruarve janë të moshës fëminore, 0-9 vjeç. 6 për qind të moshës 10-19 vjeç. 15 për qind të moshës 20-29 vjeç. 10 për qind të moshës 30-39 vjeç. 15 për qind të moshës 40-49 vjeç. Sërish më shumë të shëruar, 24 për qind, janë të moshës 50-59 vjeç. 16 për qind e të shëruarve janë të moshës 60-69 vjeç. 12 për qind janë të moshës 70-79 vjeç.

Në tabelën e mëposhtme shikoni shifrat sipas qarqeve.

Kurse në këtë grafik shikoni ecurinë e kurbës së infeksionit.

/noa.al/