Transmetuar më 14-04-2020, 22:49
Foto ilustruese

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi, bën një krahasim se si dy qeveritë shqiptare, ajo e Tiranës dhe ajo e Prishtinës, po sillen gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Përmes një postimi në Facebook, Abazi jep disa shembuj ilustrues ku tregohen mënyrat se si qeveria Kurti po ndihmon biznesin, ndërsa sa i përket asaj Rama thekson se, "e qasjen e Qeverisë së Shqipërisë krijohet një situatë absurde ku punëtorit i kërkohet në këtë kohë të masave të distancimit social dhe të izolimit që të kërkojë e dorëzojë prova për denoncimet ndaj punëdhënësit".

Krahasim Kosovë – Shqipëri në lidhje me masat e dy qeverive për punëtorët që punojnë në informalitet

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të mos e penalizuar biznesin (punëdhënësin) nësë regjistron punëtorët informalë me një kontratë të re një vjeçare në këtë situatë pandemie. Punëtorët që regjistrohen përfitojnë nga masat qeveritare duke marrë pagën minimale prej buxhetit të shtetit në ato biznese që janë dëmtuar nga kriza ekonomike. Mbi pagën minimale, qeveria e Kosovës mbulon edhe sigurimet shoqërore. Pas regjistrimit nga punëdhënësi, institucionet verifikojnë menjëherë listat e pagave nga muaji paraprak, dhe çdo punëtor i ri i regjistruar në bizneset që kanë pësuar dëme nga kriza përfiton pagën minimale për tre muaj nga buxheti i shtetit, në vlerën 170 Euro në muaj. Në këtë mënyrë punëdhënësi nuk ka asnjë motiv për ta hequr punëtorin nga puna. Rreth 1000 punëtorë janë regjistruar deri më sot përmes kësaj mase, duke ndikuar në rritjen e formalizimit në ekonomi. Më tej, nësë punëdhënësi refuzon të bëjë regjistrimin/formalizimin e punëtorit me kontratë, atëherë vetë punëtori ka të drejtën të plotësojë nja formular në internet në Agjencinë e Tatimeve të Kosovës për të fituar nga skema sociale 130.00 në muaj për tre muaj, nëse nuk ka të ardhura të tjera. Këto fakte dhe të dhëna zyrtare për këtë çështje sapo i riprezantoi publikisht Ministri i Financave Besnik Bislimi.

Qasja e Qeverisë së Kosovës ndryshon shumë prej qasjes së Qeverisë së Shqipërisë, ku punëtorëve u është kërkuar të bëjnë denoncime dhe të dorëzojnë prova kundër punëdhënësit, duke rritur tensionin. Me qasjen e Qeverisë së Shqipërisë krijohet një situatë absurde ku punëtorit i kërkohet në këtë kohë të masave të distancimit social dhe të izolimit që të kërkojë e dorëzojë prova për denoncimet ndaj punëdhënësit. Dihet që në një situatë të tillë punëtori mendon se do i ulen shanset për ta mbajtur atë vend pune nëse kryen denoncimin, prandaj ka një arsye më shumë për të mos vepruar. Nuk kemi asnjë të dhënë nga institucionet e Shqipërisë se si e sa ka funksionuar qasja e “denoncimeve” … Në ndërkohë, punëtorët në Shqipëri që kanë punuar në informalitet vazhdojnë të mos e ndjejnë ndihmën e shtetit. 50 % e tregut të punës në Shqipëri funksionon në informalitet, sipas Bankës Botërore.