Transmetuar më 09-04-2020, 21:49

Është kohë koronavirusi dhe me hir apo pahir, duam s’duam jemi thuajse të gjithë në shtëpi. Por dita është e gjatë, tani është zgjatur dhe ca më shumë, ndaj njerëzit po përpiqen të bëjnë gjëra të cilat deri dje nuk i bënin në shtëpi.

Një prej tyre është shopingu. E vërteta është se komoditeti i blerjes nga kolltuku i shtëpisë apo poltrona e zyrës, është një mundësi e rehatshme që shqiptarët kanë arritur ta shijojnë që kur lindën blerjet online në vendin tonë me Dyqan Taxi. Kjo rehati që deri para disa vitesh ishte e padëgjuar, të bën që mjaft të zgjedhsh një artikull, ta porositësh me telefon apo online dhe për çështje orësh të vjen porosia duke e paguar në momentin e dorëzimit, e madje me të drejtë kthimi deri dy ditë më pas.

Por tani kohët kanë ndryshuar, jemi në kohë karantine dhe korone, ndaj blerjet online, janë bërë jo më rehati, por domosdoshmëri. Sigurisht që është kështu, kur veç bukës dhe ndonjë ilaçi që mund t’i blesh në furrë buke, market a farmaci, asgjë tjetër prej afro një muaji nuk mund të blesh në Shqipëri, sepse të gjitha dyqanet janë të mbyllura.

Por çfarë po blejnë më shumë shqiptarët në këto kohë koronavirusi, duke porositur online? NOA iu drejtua rrjetit më të madh të shitjeve online në Shqipëri, NetTrade dhe kërkoi informacion mbi fluksin dhe trendin e blerjeve gjatë javëve të fundit.

Valer Pinderi, themelues i kompanisë që përfshin Aladini, Bukinisti, Beba Ime, Ide Dhuratash, Sekreti, etj., pranon se të gjithë klientët e vjetër kanë ndryshuar sjelljen e tyre konsumatore, krahas afrimit të shumë klientëve të rinj. "Klientë që deri dje kishin bërë 1 ose 2 blerje në vit tani po bëjnë të paktën një blerje në javë", – tregon Pinderi.

I pyetur se sa është rritur fluksi i blerjeve, Pinderi pohon se ka një katërfishim të xhiros. Ndërsa i pyetur se çfarë po kërkojnë të blejnë më shumë qytetarët, pohon atë që nuk kishim dyshim se do të ishte: Kafja!

E në fakt, jo thjesht kafen por sidomos pajisjet që përgatitin kafe ekspres. "Ekspresët e kafesë janë aktualisht më të kërkuarit duke patur parasysh që kafet janë mbyllur është vënë re një rritje ekstreme e ekspresëve me kapsula", pohon Pinderi, duke shtuar se kompania mundëson aparatë dhe kafe të disa markave të njohura vendase dhe ndërkombëtare.

Edhe pse disa mund të jenë skeptikë se leximi i librave është kthyer në rutinë ditore si dikur, dekada më parë kur interneti ishte inekzistent, fakt është se të dytat në shitje këto javë janë librat.

"Librat çuditërisht kanë një rritje të madhe dhe nuk besoj se është si pasojë e mbylljes së librarive, por sepse është rritur vëmendja tek leximi në këto kohë karantine. Kemi qindra libra të shitur çdo muaj dhe për ne kjo ka qenë surprizë e vërtetë", – thotë Pinderi.

E nga ekstremi në ekstrem, nga leximi i librave te teknologjia, lap topët janë të tretët në TOP 10 të artikujve më të kërkuar online.

"Për laptopë gjithashtu ka kërkesë të lartë dhe ne e shpjegojmë me faktin se shumë njerëz janë detyruar të punojnë nga shtëpia dhe iu është dashur një laptop. Duke patur parasysh që ne kemi të rinj dhe të përdorur, sërish jemi bërë pikë referimi".

Lodrat e fëmijëve gjithashtu kanë pasur një rritje shumë të madhe. Familjet duan të gjejnë forma për të kaluar kohën me fëmijët dhe kanë zgjedhur kryesisht lojrëat edukative. Pinderi thekson se "puzzle mbaruan që ditën e parë që nisi karantina" dhe e shpjegon këtë me faktin se "kjo është një nga mënyrat më të mira për të kaluar kohë".

Gjithashtu për videogame ka pasur një kërkesë të lartë. Imagjinoni, që në ditën e dytë të karantinës ka mbaruar stoku i Playstation. Duke qenë se kërkesat po vazhdonin, kompania u kujdes të gjete furnizime të tjera. Dhe nuk ka faj, sepse kjo karantinë që ka kaplluar shqiptarët prej një muaji, nuk i dihet sa do të vazhdojë. /e.i/noa.al/