Transmetuar më 30-03-2020, 22:26

Qytetarët kanë dy arsye për të mos u gjobitur nëse dalin nga shtëpia pa leje gjatë orarit 05.00 deri 13.00. Së pari sepse sistemi i ngritur nga qeveria është kaos funksional dhe së dyti sepse në Fletoren Zyrtare nuk ka asnjë vendim që të provojë se në Shqipëri duhet të zbatohet leje dalje një orë në ditë me miratim të qeverisë deri në tre ditë pas aplikimit.

Faktin e problemeve me sistemin e pohoi edhe kryeministri Edi Rama. Në një nga daljet e shumta në faqen e tij të Facebook dhe ERTV, ai pranoi vështirësitë në portalin e-Albania për të aplikuar për lejen dixhitale.

Rama tha se i kërkoi policisë që dhe ditën e nesërme të mos aplikojnë gjoba për personat që nuk kanë marrë leje për të bërë pazar.

Urdhri Rama për liridalje një orë në ditë me leje shteti për një anëtar familjeje është i paprecedentë në botë. Mjeku infeksonist Pëllumb Pipero tha sot se 14,6% e mostrave kanë rezultuar pozitivë”, gjë që, sipas tij, “është një përqindje pak a shumë e njëjtë me vendet e tjera”. Ky fakt është shqetësues në kushtet kur Shqipëria prej 21 ditësh gjendet në një karantinë të pashoqe deri me orar "ajrosjeje" një orë në ditë për një anëtar familjeje, kurse vendet e tjera kanë shumë më pak kufizime, sidomos rajoni. /noa.al/