Transmetuar më 30-03-2020, 19:40

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend aktin normativ për Operacionin Forca e Ligjit, e njohur ndryshe si paketa anti KÇK.

Meta ka renditur arsyet e këtij vendimi duke sqaruar se ky akt normativ me fuqinë e ligjit:

‘Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;

Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;

Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;

Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.’

Sipas Presidentit Meta, ky ligj shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë nenet 7, 17, 27, 38, 41, 42, 81/2, 83, 101, 116, 136/2, 148/2, 148/dh, 149/ç, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

“Në Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, citohet se: ‘U vu re se ligji antimafia nuk po funksiononte ashtu siç duhej, si edhe një çoroditje e sistemit gjyqësor dhe i prokurorisë me disa vendimeve, që janë bërë të njohura për të gjithë opinionin publik nëpërmjet medias. Në këto kushte, por edhe për nevojën emergjente deri sa të krijohet struktura e posaçme për investigimin e aseteve kriminale, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit, u miratua ky akt normativ’”, thuhet ndër të tjera në dekret./noa.al