Transmetuar më 30-03-2020, 15:38

“Dy javë pas mbylljes së kufijve me Italinë, qeveria nuk ka asnjë plan për kthimin e shqiptarëve”.

Është kjo akuza që bën Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit për marrëdhëniet me jashtë, Arben Kashahu.

Në një komunikim të sotëm publik ai tha se shqiptarëve nuk mund t’u mohohet e drejta për t’u kthyer në vendin e tyre dhe se është një e drejtë kushtetuese e cila duhet të realizohet nga çdo shtet i përgjegjshëm nëpërmjet operacioneve të organizuara shtetërore. Sipas tij, shteti është i detyruar të vendosë në funksion të këtij qëllimi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të realizuar shpëtimin e qytetarëve të tij.

“Është e pa pranueshme, cinike dhe jo-shtetarë përgjigja e kryeministrit se nuk ka më vende për Shqiptarët për t’i kthyer në vendin e tyre. “Nuk ka më vende”, është togfjalëshi më braktisës me të cilin i është drejtuar shqiptarëve ndonjëherë një kryeministër. “Listat janë bërë prej kohësh” ,“vendet janë mbushur” janë togfjalëshat më diskriminues që evokojnë diferencimin mes qytetarëve të një shteti, ditët që kërkohet më shumë se kurrë solidariteti njerëzor e kombëtar. Një Kryeministër i përgjegjshëm duhet të kishte kuptuar se askush nga shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk kërkon të bëjë shëtitje këto kohë të vështira, por janë në pamundësi për të jetuar në vendin që kjo kohë I ka gjetur, kanë prindërit apo njerëz të pamundur në Shqipëri vetëm e pa përkujdesje, e me qindra motive të tjera të justifikuara për t’u kthyer”, u shpreh Kashahu.

Ai publikoi edhe përgjigjen që konsullja e përgjithshme e Shqipërisë, Anila Pojani i ka kthyer një qytetari me sëmundje të rendë, i mbetur në Itali pas një operacioni të vështirë, përgjigje e cila është e datës 27 mars.

Kashahu tha se aty shkruhet se “për qytetaret e Italisë nuk ka plan aktiv për t’u kthyer.”

“Siç shihet 2 javë pasi ka mbyllur kufijtë me Italinë shteti shqiptar nuk ka një plan konkret riatdhesimi për shqiptaret e ndodhur ne Itali apo në vende të tjera. Nëse kryeministri apo kushdo kërkon ta shesë braktisjen e qytetarëve shqiptarë jashtë kufijve si një “mbrojtje të Shqipërisë nga ata”, i kujtojmë atij se ata janë Shqipëria, ata janë ne, janë motrat, vëllezërit, fëmijët, prindërit tanë të cilët Shqipëria nuk i braktisim as në të mirë e aq më pak në të keq. Sakrifica më sublime duhet bërë për të evakuuar qytetarët shqiptarë në nevojë! Ndërkohë ballafaqohemi me një qëndrim arrogant e jo-njerëzor të kryeministrit në kufijtë e absurdit. Ky absurditet merr përmasa krimi shtetëror për faktin se qeveria i ka të gjitha mundësitë për të realizuar këtë operacion shtetëror”, deklaroi zyrtari demokrat. /a.y/noa.al