Transmetuar më 30-03-2020, 13:17
Armand Duka, Edi Rama

Federata Shqiptare e Futbollit për shkak të pezullimit të aktiviteteve sportive, i dërgon një letër Qeverisë, duke i kërkuar që të përfshihet në paketën e ndihmës.

Më konkretisht i kërkon garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi.

FSHF thotë se iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme urdhrit nr. 132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 8 mars duke pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në vend, si dhe u kërkoi klubeve të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe stafeve teknike.

FSHF shton po ashtu se zbatoi njëherazi edhe vendimi nr.243 i Këshillit të Ministrave i datës 24.03.2020 për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore dhe ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.

“Kjo situatë, ka paralizuar punën e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit duke i çuar ato drejt falimentit, duke lënë pa asnjë të ardhur mijëra të punësuar duke nisur nga futbollistët, trajnerët dhe deri të stafet teknike. Klubet janë në pamundësi për të bërë pagesa, për shkak të ndërprerjes së të gjitha të ardhurave nga biletat, transmetimet televizive si dhe për shkak të tërheqjes së sponsorave. Nisur nga kjo situatë, Federata e Futbollit kërkon që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Federata e Futbollit nënvizon se i është bashkuar mesazhit të qeverisë në thirrjen ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi dhe duke ruajtur shëndetin e gjithsecilit.

Po ashtu deklarohet se këto mesazhe janë pjesë e një projekti kombëtar të FSHF për të kthyer vëmendjen ndaj fëmijëve tanë dhe për ta parë futbollin si një mjet argëtimi dhe përkujdesjeje për ta. Njëherazi, FSHF bën me dije se i është bashkuar fushatës së FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftë kundër virusit COVID-19, duke e përcjellë këtë fushatë në të gjitha hallkat e botës futbollistike shqiptare. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE