Transmetuar më 30-03-2020, 11:29

Shkon në 11 numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, ku paraditen e sotme u konfirmua vdekja e 79-vjeçarit me inicialet B.H., nga Tirana, i cili ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin Infektiv.

I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndërroi jetë nga një infarkt kardiak.

Në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19, duke çuar në total 223 numrin e të prekurve.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar, të cilët ndodhen në gjendje kritike.

Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Sanatoriumi, është shtruar një pacient.

Ndërkohë mësohet se janë 4 të shëruar në 24 orët e fundit dhe deri tani janë 44 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Fier, Shkodër, Tropojë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si Tiranë 124 raste; Durrës 14 raste; Lushnje 4 raste; Elbasan 5 raste; Fier 23 raste; Kavajë 4 raste; Rrogozhinë 2 raste; Korçë 14 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 7 raste; Lezhë 5 raste; Berat 1 rast; Has 2 raste; Krujë 5 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 3 raste dhe Mirditë 1 rast. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE