Transmetuar më 30-03-2020, 09:50

Qeveria në masat më të fundit që ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, për të gjithë këmbësorët dhe ata që do të dalin të bëjnë pazaret, ka vënë vetëm një orë në dispozicion dhe gjatë kësaj periudhe patjetër që në rrugë duhet të dalin me leje të marrë pas aplikimit në portalin e-Albania.

Për më tepër, nga leja janë të përjashtuar kategorikisht pensionistët.

Këtë të hënë, një e moshuar kishte dalë për të bërë pazaret e nevojshme. E intervistuar nga abcnews ajo pohoi se lejen për të dalë ia ka dhënë Zoti dhe nuk ka nevojë që të marrë leje nga askush tjetër.

“Lejen ma ka dhënë Zoti dhe mosha. Nuk jam e sëmurë, i kam marrë masat para se të vijë gripi. E dëgjove sot çfarë thoshin se a duhet të dalin pensionistët, patjetër që duhet të dalin dhe nuk mjafton një orë se ne vonojmë.

I kam fëmijët por janë për punët e tyre. Nuk i lë unë që të mi bëjnë.

Para se të vijë virusi bëra gjërat, mora masa. Duhet të marrë masa njeriu, ka njerëz që nuk i dinë këto gjëra. Unë kam shëtitur gjithë botën, përditë flas me Amerikën. As nuk marr leje. Policët më kanë thënë pse dal pa leje, por e shikojnë se jam e zonja”, është shprehur e moshuara.