Transmetuar më 30-03-2020, 00:52

Një video e publikuar nga Spitali i Universitetit “George Washington” tregon dëmin që ka shkaktuar koronavirusi i ri te një pacient amerikan, një 59-vjeçar që gëzonte shëndet të plotë, por që tashmë i duhet të marrë oksigjen përmes respiratorit.

Skanimi 3D tregon pasojat e dëmeve në mushkëritë e tij. “Nuk bëhet fjalë për një pacient 70 apo 80-vjeçar”, tha për CNN dr. Keith Mortman, shefi i kirurgjisë torakale në spital. “Përveç tensionit të lartë, ai nuk ka asnjë sëmundje tjetër. Ai thjesht po jetonte jetën e tij kur u infektua”.

Pjesët e shënuara me ngjyrë të verdhë në video tregojnë përhapjen e infeksionit, shpjegoi Mortman. Duket qartë që dëmi nuk është i kufizuar në një pjesë të vetme, por në të dy mushkëritë, çka tregon përhapjen e shpejtë dhe agresivitetin e tij.

E ndërsa trupi përpiqet ta luftojë, inflamacioni në mushkëri pengon marrjen e oksigjenit dhe largimin e dioksidit të karbonit. Kjo i shkakton pacientit marrjen e frymës dhe kollë. “Dua që njerëzit ta shohin këtë video”, tha Mortman. “Për të kuptuar se çfarë mund t’u bëjë ky virus. Duhet ta merrni seriozisht”.