Transmetuar më 29-03-2020, 13:02

Policia e Shtetit do të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që po kthehen këto ditë nga jashtë vendit përmes një operacioni riatdhesimi që po bën qeveria me shpenzimet e shtetit.

Kjo lëvizje vjen me urdhër të kryeministrit Edi Rama i cili tha sot se e ka ndërmarrë këtë vendim që të dihen ata që kthehen e të ruhen prej tyre nëss qarkullojnë në rrugë.

"Policia e Shtetit do të publikojë emrat e të gjithë atyre që po kthehen dhe do të kthehen, sipas një praktike të dobishme të disa vendeve, në mënyrë që po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit askush që i njeh të mos u afrohet", njoftoi kryeministri.

Nga ana tjetër ai deklaroi sot edhe se nuk do të ketë riatdhesim të gjithë shqiptarëve që po kërkojnë të kthehen duke theksuar se nuk do të dilet nga lista e përcaktuar këto ditë.

"Shqiptarë kudo që ndodheni e merrni papushim në telefon ambasadat tona, ju lutem mos shpenzoni më kohë e të ardhura për telefonata, sepse nuk ktheheni dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës! Misionet e riatdhesimit do të kthejnë vetëm një numër të kufizuar personash të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetarë që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit; njerëz që u listuan përpara shpalljes së misioneve të fluturimit nga përfaqësitë tona dhe u verifikuan një për një, për situatën e tyrë të rënduar. Lista është e mbyllur me numër të saktë, por fatkeqësisht shumëkush nuk e ka dëgjuar dhe vazhdon të mos e dëgjojë, madje disa në vend që të dëgjojnë akuzojnë, shajnë e mallkojnë! Po s’ka problem për akuzat, sharjet e mallkimet, thjesht mos u mundoni më për të gjetur vend në avion, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë deri në përfundimin e luftës!" /noa.al/