Transmetuar më 29-03-2020, 11:43

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, vlerëson se karantinimi i vendit përmes mbylljes së kufijve ishte i vonuar nga shteti shqiptar dhe kjo solli për pasojë depërtimin e koronavirusit.

Në një mesazh publik përmes rrjeteve sociale, ish deputeti Manjani thotë se Edi Rama duhet të japë llogari për këtë vonesë.

"Natyrisht e presim që Bosi të vetëlavdërohet, asnjë surprizë. Por ka shuuumë llogari për të dhënë. Shumë! Për vonesën në karantinim; për gjendjen e mjerë spitalore; për maskat e skaduara; për autoambulancat që s’i kishim; për mungesën totale të koordinimit; etj., etj., etj…"

Duke qenë dakord me ata që thonë se "të kalojë kjo situatë", z.Manjani shton: "Por është ai që në këtë situatë vetëlavdërohet pse "nuk po bëhen mal të vdekurit'".

Në këtë pikë Manjani, ish ministër në qeverinë e Ramës, evidenton problematikat që spikatin:

"Shifrat e pandemisë tek ne nuk mund të krahasohen në vlerë absolute me shtete me nga 60, 80, 100 milionë a më shumë banorë!", thotë Manjani.

Duke komentuar daljen e z.Rama mbrëmë që thoshte se Shqipëria ka shumë më pak raste se të tjerët, Manjani thotë: "Nuk mund të krahasohen as për nga numri i të testuarve, sepse është pa asnjë dyshim më i ulëti këtu tek ne. 1300 teste deri tani, kur bota numëron me të paktën 50 000 për njësinë kohore krahasuese".

E sigurisht, në kushtet e testimit të ulët, edhe gjurmimi mbetet i diskutueshem. Askush se di nëse jeton apo me virusin në trupin apo familjen e tij/saj.

Një tjetër shqetësim në këtë situatë, Manjani vë në pah dhe vdekshmërinë e lartë nga COVID-19. "Tendenca e fataliteteve në përqindje, për numrin e të testuarve dhe numrin e të infektuarve mbetet shumë i lartë. Ndaj nuk e kuptoj se ç’vend ka për vetëlavdërim", thotë ish ministri. /e.i/noa.al/