Transmetuar më 29-03-2020, 11:35

Shënohet sërish një tjetër rritje e ndjeshme e të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 15 raste të reja, duke çuar në 212 numrin e të prekurve.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 111 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1436 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 212 raste.

Nga COVID-19 kanë humbur jetën deri tani 10 qytetarë.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 76 të shtruar. Prej tyre 6 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Janë 7 të shëruar në 24 orët e fundit mes të cilëve 2 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Deri tani kemi 40 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Mirditë dhe zgjerohet në Tiranë, Fier dhe Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë    121 raste

– Durrës     12 raste

– Lushnje   4 raste

– Elbasan    5 raste

– Fier          22 raste

– Kavajë     4 raste

– Rrogozhinë   2 raste

– Korçë    12 raste

– Vlorë      5 raste

– Shkodër   5 raste

– Lezhë      5 raste

– Berat       1 rast

– Has         2 raste

– Krujë       5 raste

-Tropojë   3 raste

– Pukë     3 raste

– Mirditë  1 rast

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Për ankesat që keni merrni numrin e telefonit 127 për ankesat që kanë të bëjnë me gjendje sëmundje dhe nurmin 0800 40 40 kur kërkoni informacion ose kur kërkoni informacion jo vetëm për sëmundjen COVID por edhe për lidhjen me mjekun e familjes ose për mënyrën se si do të merren medikamentet e rimbursueshme.  Ju lutem qytetarëve, vazhdoni të qëndroni në shtëpi sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë!”, tha në mbyllje Rakacolli.

PËRDITËSIM LIVE