Transmetuar më 29-03-2020, 11:28

Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, shkoi këtë të shtunë në Itali, duke shoqëruar një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh, të cilët po i shkojnë në ndihmë shtetit fqinj, për tu përballur me emergjencën e koronavirusit.

Por qysh në fillim, ajo që ra në sy, ishte se ndërsa të gjithë kishin vendosur maskë, përfshi kryediplomatin italian Luigi Di Maio, Cakaj u pa i buzëqeshur dhe pa asnjë lloj mase sigurie.

Por në aktin normativ të qeverisë, i dalë për emergjencën e koronavirusit, përcaktohet se kush kthehet nga jashtë vendit duhet të vetëkarantinohet për 14 ditë.

Në këto kushte lind pyetja: a do të karantinoret Gent Cakaj?

Jo vetëm kaq, pasi në rast shkeljeje të vetëkarantinimit, kush del jashtë për 14 ditë, nga data e kthimit, që përkon me të të shtunën e 28 marsit, gjobitet dhe jo pak: 7 milionë lekë të vjetra.

Për më tepër, akti normati nuk bën përjashtime për zyrtarët.

Akti normativ i qeverisë përfshin dënim me gjobë për të gjithë qytetarët të cilët nuk deklarojnë tek autoritetet historikun e tyre të udhëtimit nga vendet e prekura nga COVID-19, apo nuk vetëkarantinohen sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Akti normativ parashikon se dënohet me gjobë në masën 700 000 lekë:

a) Shtetasi, i cili hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk deklaron ardhjen e tij nga zonat e prekura nga infeksioni COVID-19, të deklaruara nga organet kompetente, vendase ose të huaja apo ndërkombëtare;

b) Shtetasi, i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19;

c) Shtetasi, i cili vjen nga zonat e prekura dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm;

ç) Shtetasi, i cili ka rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm. /a.y/noa.al

Ashpërsohet shtetrrethimi, shpallet listë e gjatë gjobash të rënda

PËRDITËSIM LIVE