Transmetuar më 29-03-2020, 08:41

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi mbrëmë se përkundër informacioneve të shpërndara në rrjet, koronavirusi sipas saj nuk transmetohet nga ajri.

Reagimi i OBSh vjen pasi media botërore me ndikim në audiencë kanë publikuar studime që sugjerojnë se virusi qëndron në ajër dhe mund të transmetohet te njerëzit, ndërsa bindja ka qenë se infektimi është vetëm përmes njeriut të prekur.

OBSH thotë në publikimin e djeshëm se koronavirusi transmetohet kryesisht përmes pikave (spërklave) të krijuara kur një person i infektuar kollitet, teshtin ose flet. Duke përmendur termin kryesisht, OBSH është e kujdesshme në përjashtimet që bën për mënyrat e infektimit.

Për të mbrojtur veten:

-kërkohet distancë 1 metër nga të tjerët

-dezinfektimi i shpeshtë i sipërfaqeve

-pastrimi dhe fshirja e duarve

-shmangni prekjen e syve, hundës dhe buzëve tuaja.

Virusi i ri përhapet kryesisht përmes pikave të frymëmarrjes, siç janë ato të gjeneruara kur një person i infektuar kollitet ose teshtin dhe të mbetura në ajër ato bien në dysheme apo sipërfaqe të tjera në një kohë të shkurtër.

OBSH thotë se një person mund të infektohet nëse afrohet më shumë se një metër me një person që është i prekur nga Covid-19, duke prekur sipërfaqe të ndotura dhe më tej duke prekur hundën, sytë apo buzët.

Për të mbrojtur veten tuaj, duhet qëndruar 1 metër larg nga njerëzit dhe sipërfaqet e ndryshme. Pastroni rregullisht duart tuaja dhe shmangni prekjen e syve, buzëve dhe hundës, sugjeron OBSH. Publikimi i këtij fotoinformacioni në faqen e saj në Facebook u përfshi nga debat i gjerë dhe skepticizëm ndaj deklaratës së fundit të OBSH. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE