Transmetuar më 28-03-2020, 20:44

Për kryeministrin italian, Xhuzepe Konte, kjo që po ndodh me koronavirusin është diçka e rrallë me të cilën Europa duhet të përballet duke u treguar në lartësinë e duhur.

Në një mesazh publik të sotëm, z.Konte kërkoi që "Evropa të tregojë se është e gatshme t’i përgjigjet këtij takimi me historinë që po ndodh".

Dhe menjëherë më pas dha një afat ultimativ: "Eurogroupi ka 14 ditë kohë për të marrë në konsideratë propozimet që Këshilli Evropian do t’i dërgojë për shqyrtim".

Konte, si asnjëherë tjetër ishte shumë kritik dhe dukshëm i pakënaqur me BE, ashtu si plot qytetarë italianë që e kanë demonstruar hapur ditët e fundit.

Ndaj në daljen e tij të sotme, Konte bëri dhe paralajmërime të tjera: "Historia nuk paralajmëron kur arrin, veçanërisht me një emergjencë kaq të padëgjuar. Është një gjendje shoku që prek të gjitha shtetet anëtare, nuk ka asnjë të përjashtuar. Çështja është si sillemi përballë kësaj emergjence. Italia është duke treguar ndërgjegjësim të plotë për reagimin e përbashkët që historia po na kërkon të bëjmë. Evropa duhet të tregojë se është e gatshme t’i përgjigjet kësaj thirrjeje të historisë dhe të jetë në lartësinë e duhur". – tha kryeministri italian.

Më tej shtoi: "Unë nuk do të mbetem në Histori si ai që nuk mori përgjegjësinë për atë që duhej të bëhej për qytetarët. Unë do të luftoj deri në pikën e fundit të djersës, deri në gramin e fundit të energjisë për të marrë një përgjigje të fortë, rigoroze dhe kohezive evropiane", tha Conte duke përshkruar me shqetësim situatën aktuale që po përjeton Italia në pandeminë e koronavirusit.

Kujtojmë se autoritetet shëndetësore në Itali njoftuan se 24 orët e fundit kanë humbur jetën 889 persona të infektuar nga koronavirusi.

Me jetët e humbura që u raportuan nga Departamenti për Mbrojtjen Civile, ka shkuar në 10023 numri i njerëzve të vdekur nga virusi i rrezikshëm, 5974 persona të infektuar. Në këtë mënyrë ka arritur në 92.472 njerëz të prekur. /b.l/noa.al/

Conferenza stampa

In diretta da Palazzo Chigi

Publiée par Giuseppe Conte sur Samedi 28 mars 2020