Transmetuar më 21-03-2020, 13:28

“Ushtria dhe policia do përdorin forcën, ujin e deri te gazi lotsjellës, nëse është nevoja, duke parë se si një tufë të papërgjegjshmish hapërdahen lart e poshtë pa pikën e turpit. Kush se ka marrë vesh akoma se kjo është një luftë botërore, ku kemi fatkeqësinë të përballemi me një armik të tmerrshëm, do duhet ta marrë vesh me pahir”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në komunikimin e sotëm me qytetarët, teksa paralajmëroi masat e reja.

Ai tha më tej se kush i shkruan për fukarenjtë se nuk rrinë dot brenda se nuk kanë bukë, të mos bëjnë sikur shqetësohen për fukarenjtë, por ta mbledhë mendjen top, “se sot nuk kërcënohemi për shkak të urisë, por për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë iphone dhe nuk kanë dëngla për të shitur në rrjetet sociale. Mos luani nga vendi, nuk do të tolerojmë më askënd”.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se do të përgjigjen me të keq për gjithë ata që nuk marrin vesh, duke kujtuar se në Itali po vdes një njeriu çdo dy minuta.

“Mos më thoni boll, se nuk ndahem duke iu treguar se çfarë katastrofe na gjen nesër, po nuk e ndamë mendjen sot. Mijëra nga ju le të tërbohen fare nga veprimet e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne nesër, pas dy apo tre javësh. S’ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore e policore deri në fund. Kroatët do bëjnë spital dhe stadiumin”, tha Rama.

Po ashtu shtoi se “Më mirë turfulloni e hidhuni përpjetë sot nga sikleti po në shtëpinë tuaja sesa ta qepnit përgjithmonë në akrivolë që shëtit me makinë ushtrie rrugëve për të gjetur ndonjë copë varr”.

Ai tregoi edhe nismën e vlonjateve për të sharë virusin nga ballkonet.

Duke iu drejtuar atyre, Rama tha se “Më shkruanin nga Vlora se paskan vendosur të dalin në 19.00 në ballkon të shajnë virusin nga motra, çudi si duruan kaq gjatë që nuk u morën më herët me motrën e kompetentit që po çmend botën. Por u jap të gjithë mbështetjen si deputet i Vlorës me kusht që ta bëjnë nga ballkoni e të mos bëjnë xhap jashtë derës, e kur as vlonjatët nuk e bëjnë siç duan atë ritualin e lashtë, ne duhet të bëjnë ritualin e ri të luftës e të lusim Zotin e madh të shqiptarëve të na ndihmojë që tu tregojmë vendin këtyre tradhtarëve e ti japim njëri tjetrit ndihmën e nevojshme, si motra e vëllezër, rrugë tjetër nuk ka, kush kërkon rrugë tjetër le ti bjerë murit me kokë e të mos dalë nga shtëpia”- tha ai. /a.y/noa.al

“Ndaj atyre që shkelin oraret, do përdorim forcë”, Rama përshkallëzon masat: Do përgjigjemi me të keq

PËRDITËSIM LIVE