Transmetuar më 27-02-2020, 23:06

Në rastin më të mirë, koronavirusi do të ngadalësohet deri në zhdukje. Në rastin më të keq, do të përhapet në të gjithë botën dhe ne thjesht do të duhet të mësohemi të jetojmë me të.

Dy skenarët më të mundshëm për koronavirusin, një negativ dhe një pozitiv, janë edhe sugjerimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), duke na paralajmëruar edhe për një të ardhme, në të cilën, do të duhet të mësohemi me sëmundje të reja infektive.

Në raste të tilla, mbështetja në këshillat e ekspertëve, vjen më së miri, për të shmangur histeritë masive dhe panikun. Carlo Signorelli, Profesor i Higjienës në Universitetin "Vita e Salute" të San Raffaele në Milano, shpjegoi për "Corriere della Sera" se, bazuar në informacionin e disponueshëm deri më tani, për Covid-19, mund të bëhen dy hipoteza në lidhje me përparimin e patogjenit.

E para është ajo që ka të bëjë me skenarin më të favorshëm dhe arsyetimi është i thjeshtë. Falë masave të vendosura nga qeveritë dhe veprimtarisë së institucioneve shëndetësore, shpërthimi i infeksionit do të kufizohet gjithnjë e më shumë, derisa virusi të shuhet. Në fakt, nëse secili person i infektuar do të infektohej më pak se një tjetër, epidemia do të ngadalësohej, derisa ajo të ndalet dhe të shuhet. Nëse jo, i bie që ajo të të përparojë.

Hipoteza e dytë ngjall një skenar negativ. Virusi mund të mos frenohet dhe të fillojë të qarkullojë gjithnjë e më shumë në të gjithë Italinë dhe Evropën, ku ndër të tjera ai është manifestuar, pasi deri tani ka prekur shtete të tjera, si në Gjermani, Francë, Austri dhe Britaninë e Madhe. Por edhe vendet e Ballkanit, si Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Shumë vende perëndimore kanë sisteme shëndetësore që i lejojnë ata të përballen me epideminë. Problemi më i madh, në këtë rast, ka të bëjë me Afrikën.

Ndërkohë, vlen të kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetit, qysh në vitin 2018, kishte ngritur hipotezën e ardhjes së një "sëmundje X", për të cilën paralajmëroi se nuk do të ketë vaksina apo ilaçe. Flitej për një sëmundje "e shkaktuar nga një patogjen i panjohur, i aftë të shkaktonte një pandemi, domethënë përhapjen në të gjithë botën", dhe po ashtu në gjendjte të shkaktonte miliona raste të prekurish dhe vdekjesh. Sipas paralajmërimit nga OBSH, gjithashtu njerëzit dhe qeveritë do të duhet të mësohen me shfaqjet e sëmundjeve të reja infektive shumë shpejt, siç ndodhi edhe ve viruset e fundit, të Sars dhe Ebola.

Sars, sindroma e rëndë e frymëmarrjes që u shfaq në vitin 2003 në provincën kineze të Guandong, është praktikisht e zhdukur. Mers, që i përket familjes koronavirus, vazhdon të qarkullojë. Në çdo rast, viruset ndryshojnë. Ata përsëriten duke bërë kështu që t’i nënshtrohen modifikimit gjenetik. Ajo që është e sigurt është se çdo epidemi ka ciklin e vet.

/NOA.al