Transmetuar më 27-02-2020, 22:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, teksa ka thirrur popullin për një tubim më 2 mars, ka paralajmëruar revolucion, nëse sipas tij, nuk do të funksionojë Prokuroria e Posaçme, për të zgjidhur ngërçin e Gjykatës Kushtetuese.

"Po qe se ka ardhur koha për revolucion, revolucion. Po nuk funksionoi SPAK-u, revolucion. Revolucion për zbatimin e ligjit për zbatimin e kushtetutës. Ata do vinë për veten e tyre. Garanci kanë qytetarët për të drejtat e tyre?", theksoi Presidenti Meta.

"Po të jetë nevoja për forcë Ilir Meta thërret 1000 veta si vetja e vetë. Ilir meta do të dëgjojë zëri e popullit", shtoi kreu i shtetit, i ftuar në emisionin “Opinion”.

Meta tha me tone të ashpra se më 2 mars do të dëgjojë popullin shqiptar. “Unë në shesh do t’i drejtohem popullit, do ta dëgjoj. Unë i shfrytëzova të gjitha mundësitë e mia.

Do të përshkallëzojë veprimet. Unë e kam të bindur se populli shqiptar e ka të qartë se tani është një betejë finale për të rivendosur rendin kushtetues, demokratik e llogaridhënës”, tha Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit shtoi se nuk jep dorëheqjen, pasi sipas tij, do të vijë Baton Haxhiu të bëhet President i Shqipërisë.

“Të ik unë e të dal Batoni Presidenti i Shqipërisë. Nuk iki dot, jam betuar mbi Kushtetutë. Presidenti i Rumanisë vajti e protestoi”, theksoi Presidenti.

I pyetur se çfarë pritet të ndodhë më 2 mars, President IIlir Meta u shpreh se

"Ju të gjitha nuk do t’i mësoni sot".

Presidenti Ilir Meta tha se kërkon të rikthejë Kushtetutën e vitit 1998, që u votua nga populli dhe mbi dekretin e paralajmëruar se mund të firmosë edhe për shpërndajren e Kuvendit, ai shtoi se, "Çdo ditë do të ketë zhvillime. Atë ditë do ta firmos, nuk do ta firmos tani".

/NOA.al