Transmetuar më 27-02-2020, 16:35

Gjykata Kundër Krimit të Oranizuar vendosi këtë të enjte sekuestro të pronave të shtetasit Altin Hajri. Konkretisht, kompleksi “Golde Resort”, në Xhafzotaj, Durrës. Në sekuestro është vënë karburanti “ALT-OIL 2008” dhe një vilë dy katëshe në Pjezë, Shijak.

Vendimi u dha mbi bazën e nenit 19 të Aktit Normativ nr 1 datë 31.01.2020 si subjekt i ligjit në kuadër të procedimit nr. 475 i ndryshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 139 dhe 333 të KP.

Vendimi i është dërguar për ekzekutim Agjensisë po sot dhe për njoftim, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Prokurorisë së Posaçme dhe shtetasit Altin Hajri.

Ky shtetas akuzohet se së bashku me persona të tjerë kanë rrëmbyer dhe vrarë shetasin Jan Prenga. Trupi i viktimës ende nuk është gjetur nga autoritetet policore, ndërkohë vetë Altin Hajri është shpallur në kërkim.

Në tetor të vitit 2015 ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.

Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.

Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin. Teksa hetimet ndaj Altin Hajrit janë pushuar  nga autoritetet italiane, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge vijon të jetë  vëllai tjetër i tij Emiljano Hajri./b.l/noa.al/