Transmetuar më 26-02-2020, 09:26

“Një mirënjohje e zjarrtë i shkon sot kompozitorit tonë të madh Limoz Dizdari, për solidaritetin e tij me kauzën mbarëkombëtare për mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë”.

Kështu thotë Presidenti Ilir Meta, i cili ndan një video, ku vlerëson kontributin e kompozitorit.

Kreu i shtetit shpreh vlerësim, ndërsa nënvizon se ky vlerësim shtohet dhe aq më tepër kur vjen nga një artist i madh me kontribute të spikatura publike, dhe nga një prej reformatorëve të Partisë Socialiste me kontribute historike, që me vizionin e tyre e bënë Shqipërinë me një nga Kushtetutat më demokratike në Europë.

“Ja si e bënin Kushtetutën socialistët e ndershëm e patriotë në vitin 1998. Ndërsa sot shkelet e përdhoset me pabesi dhe poshtërsi ndaj sovranit që e votoi më 22 nëntor 1998 me Referendum. Faleminderit Profesor Limozi! Jam shumë herë më i bindur në drejtësinë e kauzës tonë të përbashkët!”, shkruan Meta.

Presidenti i ka ftuar qytetarët pasditen e 2 marsit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke iu dhënë fjalën se shumë shpejt falë popullit shqiptar s’do ketë vetëm një institucion që është në mbrojtje të kushtetutës por gjithë institucionet që janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit" do i kthehen popullit shqiptar.

Në këtë ditë ai ka paralajmëruar firmosjen e dekretit të parë për shpartallimin e grushtit të shtetit. /a.y/noa.al