Transmetuar më 25-02-2020, 16:00
Kandidatet per kreun e BKH

Brenda dy ditësh do të intervistohen tetë kandidatët për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Bëhet me dije se Komisioni i Përzgjedhjes për Drejtorin e BKH-së zhvilloi në praninë e Komisionit të Pavaruar të Rishikimit (Komisionit Ndërkombëtar), mbledhjen e radhës, lidhur me procedurën e organizimit të intervistave të kandidatëve të kualifikuar deri në këtë moment për këtë pozicion.

Në përfundim, Komisoni vendosi që intervistat do zhvillohen në datat 26 dhe 27 shkurt, 2020, në Sallën e Mbledhjeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ndodhur në adresën : Rruga “Jordan Misja”, Nr.1, Tiranë. Çdo kandidat do ketë një orë në dispozicion, për t’iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes.

I gjithë procesi do të monitorohet nga Komisioni i Pavaruar i Rishikimit (Komisioni Ndërkombëtar), sipas përcaktimeve të nenit 57, pika 9, e ligjit Nr.95/2016, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Intervistat do kryhen në rendin alfabetik:

Në datën 26 shkurt

-Aida Veizaj, ora 10.00

– Ardian Çipa ora 11.00

– Artur Beu ora 12.00

– Ervin Hodaj ora 13.00

Në datën 27 shkurt

– Gentjan Shehaj ora 10.00

– Lindita Nushi ora 11.00

– Idajet Faskaj ora 12.00

– Ylli Pjetërnikaj ora 13.00

Komisioni i Përzgjedhjes gjithashtu sqaron që spekullimet në media në lidhje me numrin e kandidatëve që mund të kenë ngelur në testin e poligrafit nuk janë të vërteta. Rezultatet e testeve të poligrafit janë konfidenciale dhe rregullat për aksesimin e një informacioni të tillë janë shumë të rrepta. Sikurse është përcaktuar në Ligjin Nr.95/2016 për SPAK-un, raportet e ekzaminimeve të poligrafit ‘do të merren në konsideratë’ nga Komisioni i Përzgjedhjes për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që do të emërohet Drejtor i BKH-së.