Transmetuar më 25-02-2020, 12:38

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka komentuar miratimin ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve të aktit normativ Akti- KÇK për sekuestrimin e pasurive. Balla shprehet se ajo do i shërbejë dhe do jetë në funksion të rezultateve pozitive dhe forcës goditëse të OFL.

"Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin ka sjellë edhe dy ligje të tjera të cilat e rrisin dhe e përmirësojnë kuadrin ligjor në funskion të një rezultati pozitiv në këtë nismë, në këtë forcë goditëse. Dua ta përshëndes OFL për rezutlatet sikur e keni parë nga ana e OFL janë referuar në SPAK, dhe prej SPAK në GJKKO një seri personash apo grupesh kriminale pasuritë e të cilëve po sekuestrohen, janë në proces ose janë referuar dhe ishte e domosdoshme një ligj më i plotë për pasuritë", u shpreh Balla.

Por si do të menaxhohen këto pasuri? Balla shpjegoi se një pjesë e tyre do të përdoren për nevojat e buxhetit të shtetit. Por, ai tha se pasuritë e sekuestruara nga krimi do të përdoren për të rritur kapacitetet e Policisë së Shtetit.

"Unë dua ta përshëndes Operacionin Forca e Ligjit për rezultatin e deritanishëm. Nga OFL janë referuar në SPAK pasuri që janë vendosur në rrugë kriminale, që tashmë po sekuestrohen. Ishte i domosdoshëm një ligj për administrimin e këtyre pasurive. Vlera e tyre monetare do të jetë shumë e madhe dhe pse jo të rrisim kapacitetet financiare të shtetit shqiptar për t`i përdorur për nevojat buxhetore që ka vendi, por dhe për nevojat e Policisë së Shtetit", tha Balla.