Transmetuar më 24-02-2020, 22:12

Kreu i shtetit ka rrëfyer këtë mbrëmje në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” se cilat janë objektivat e tij për protestën e 2 marsit. Gjithashtu, Presidenti tha se në tubim nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë akt dhune. Ai paralajmëroi se ‘nëse segmente të qeverisë dhe bandave të tyre do të provokojnë, përgjegjësia do të jetë e tyre’.

"Në 2 mars do u drejtohem qytetarëve si në dhjetor kur u shty. Në 2 mars unë do të i drejtohem popullit dhe ndërkombëtarëve duke u bërë të qartë se mbi kushtetutën qëndron vetëm sovrani i tij. Fjalën do ta ketë populli. Vetëm me flamurin kuqezi për të vendosur sistemin demokrat. Qytetarët janë ftuar në bulevard në orën 17:00, parullat janë të qarta ‘Jo grushtit të shtetit’ dhe ‘Jo shpopullimit’. Objektivat e mia janë të qarta, të ndërgjegjësoj qytetarët për grushtin e shtetit, t’u bëj të qartë se instalimi i grushtit të shtetit asgjëson liritë dhe demokracinë.

Si mund të garantojë gjykata Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë mafioze dhe përmes këtyre falsifikimeve, se do të ketë garanci për pronat e tyre? Nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë akte dhune. Nëse segmente të qeverisë dhe bandave të tyre do të provokojnë përgjegjësia do të jetë e tyre. Populli do të bëjë një manifestim historik në mbrojtje të Kushtetutës dhe kush janë puçistët që duan të përdhunojnë përfundimisht edhe reformën në drejtësi për të instaluar ‘Rama-formën’. Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe dhe e kuqe flakë", tha Meta.

I pyetur nëse është penduar për thirrjet në protestat e opozitës për të stopuar turmën e njerëzve që po i drejtoheshin Kuvendit, ai tha se "Jo, absolutisht. Kur dikush merr përsipër të drejtojë diçka ai duhet të marrë i pari përgjegjësinë edhe për gjithçka, në rastin konkret për rivendosjen e rendit kushtetuese unë përgjegjësinë nuk ia lë popullit, por e marr vetë i pari dhe përmes dekreteve kam të drejtë të rivendos rendin kushtetues në rast se parlamenti do të vijojë të thellohet në puçin e tij. Dhe përgjegjësinë e marr unë, për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe populli do të përgjigjet. Do i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqë institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura".